Kur ende mbetet i paqartë niveli i bisedimeve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një takim i radhës i presidentëve të dy vendeve është paralajmëruar se do të zhvillohet të hënën.
Presidenti Hashim Thaçi dhe ai serb Aleksandër Vuçiç do të kenë një takim joformal me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, raporton KTV.“Ata do të shkëmbejnë pikëpamjet mbi vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, si dhe rreth zhvillimeve më të gjera në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e shërbimit të jashtëm të BE-së.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësim për, siç ka thënë, përpjekjet jokushtetuese të presidentit Thaçi që të jetë pjesë e dialogut në Bruksel, sipas LDK-së me synim të realizimit të interesave të tij personale.Kandidati për kryeministër i LDK-së, Avdullah Hoti, ka ftuar partitë politike të kundërshtojnë këtë veprim të Thaçit. (b.an)