Prej ditës së sotme, Presidenti i FSHF-së Armand Duka zyrtarizohet në një post të rëndësishëm në UEFA siç është detyra e nën/kryetarit të Komitetit “Hattrick” në UEFA.
Ky është Komiteti me buxhetin më të lartë në organizmin e futbollit evropian. “Hattrick” merret me projektet më madhore që kanë federatat kombëtare të të gjitha vendeve në Europë, si dhe është një formë investimi i projekteve që UEFA ka krijuar që nga viti 2004 për të gjitha vendet anëtare.
FSHF në njoftimin e saj për mediat deklaron se “Ky vlerësim vjen pas jo pak vitesh eksperiencë në poste të tilla të vetë kreut të FSHF-së, si zv/Kryetar i Parë i Komiteteve ndër më të rëndësishmit të UEFA-s, Komiteti i Federatave Kombëtare, por edhe te Komiteti i Kompeticioneve të Ekipeve Kombëtare, në të cilat Presidenti Armand Duka ka qenë pjesë e tyre, dhe ku ndër vendimet kryesore që janë marrë ndër vite, spikat edhe vendimmarrja për zgjerimin e formatit të Europianit, me 24 skuadra, apo edhe krijimi i eventit që nis shumë shpejt mes skuadrave përfaqësuese, siç është “Nations League”, apo Kupa e Kombeve”.