Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë në ceremoninë e nderimit kushtuar ish-Kancelarit të Republikës Federale të Gjermanisë gjatë viteve 1982-98, Helmut Kohl, që u zhvillua në sallën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg.
Në ceremoninë solemne, e cila u hap me fjalët e tre Presidentëve të institucioneve kryesore e drejtuese të Bashkimit Evropian: Antonio Tajani të Parlamentit Evropian, Jean-Claude Juncker të Komisionit Evropian dhe Donald Tusk të Këshillit Evropian, ishin të pranishëm Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti francez Emmanuel Macron, ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ish-kryeministri i Spanjës Felipe Gonzales, Kryeministri i Federatës Ruse Dimitri Medvedev si dhe shumë krerë shtetesh e qeverish.
Me këtë rast Kreu i Shtetit shqiptar shprehu keqardhjen e thellë për ndarjen nga jeta të Kancelarit Kohl dhe duke u lutur për prehjen e tij në paqe, duke iu përcjellë ngushëllimet më të sinqerta, edhe në emër të popullit shqiptar, familjarëve dhe autoriteteve më të larta gjermane të pranishme.
Presidenti Nishani vlerësoi rolin, kontributin dhe vizionin largpamës të ish-Kancelarit Kohl për bashkimin e Gjermanisë dhe të Evropës, si dhe mbështetjen e fortë që u dha shqiptarëve për t’u shkëputur nga diktatura komuniste e për të hedhur hapat e para të demokracisë./a.m.