Rivali i Lulzim Bashës për postin e kreut të PD-së e ka cilësuar partinë që ai ka ndihmuar për t’u themeluar, si një institucion politik të cilin koha e ka lënë pas. Përmes një reagimi në profilin e tij në rrjetin social, Eduard Selami është shprehur se disfata në zgjedhje tregoi pikërisht faktin se PD ka ngelur shumë prapa kërkesave dhe aspektativave të demokratëve dhe qytetarëve.
Zgjidhja e kësaj situate sipas Selamit është zgjedhja e tij në krye të PD-së, një mesazh ky që hap dhe fushatën e tij elektorale brenda selisë blu. Kujtojmë se zgjedhjet për kreun e PD-së zhvillohen vetëm 22 ditë larg kësaj të premteje.
Postimi i Selamit:
“Eshtë për të ardhur keq që forcën e parë politike ku unë kam patur kënaqësinë të jem ndër themeluesit e saj, koha e ka lënë pas. Dhe këto zgjedhje treguan pikërisht këtë. Prandaj PD-ja dhe demokratët duhet të ecin më hapin e kohës dhe duhet t’i paraprijnë. Unë jam shumë i sigurt që kjo do të vijë, dhe ky do të jetë dhe kontributi im në këto zgjedhje për kryetar të PD-së.
Unë mendoj se këto janë periudha sa të vështira po aq të mbarsura me mundësi, për një reformim dhe rinovim të vonuar të PD-së, për ta ngritur atë aty ku janë vlerat më të mira të demokracisë dhe të partive politike bashkëkohore.
Ajo çka është më kryesorja është një analizë e drejtpërdrejtë, e sinqertë, e hapur, brenda familjes politike, duke parë në radhë të parë gjërat që në bashkojnë se sa ato që na ndajnë”.”, thuhet ne reagimin e Selamit