Emërimi i ministrave teknikë të propozuar nga Partia Demokratike ishte një nga pikat e marrëveshjes së 18 Majit si garanci për zgjedhje të ndershme. Krahas një fushate të qetë, gjashtë ministrat e Lulzim Bashës krijuan një furtunë në administratë ku në të shumtën e rasteve puna e tyre u fokusua në largime nga puna.
Por sot, ministrat teknikë janë kapur pas Nenit 106 të Kushtetutës së Republikës. “Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës” – ky është neni që teknikët citojnë në media sa herë pyeten në lidhje me lëshimin e karriges ministrore.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka shpjeguar disa herë se bëhet fjalë për “rojtarë” dhe jo ministra që kanë në dorë prokurime, apo punësime. Në fakt, edhe pse misioni i tyre politik ka përfunduar, nuk ka asnjë shenjë për largimin e 6 teknikëve si pjesë e marrëveshjes.
Ndërkohë Lëvizja Socialiste për Integrim që ka dalë “de facto” nga qeveria prej sëpaku dy muajsh, vijon të mbajë katër portofole ministrash. Nëse edhe LSI justifikohet me nenin 106 të Kushtetutës, kjo do të thotë se edhe për dy muaj Kabineti do të shërbejë si vend pune. Por ky është një standard i dyfishtë krahasuar me vitin 2013, kur Ilir Meta qeveriste me Sali Berishën.
Pas firmosjes së koalicionit Rama-Meta më 1 Prill, LSI i tërhoqi të gjithë zyrtarët e saj që nuk kishin statusin e nëpunësit civil. Madje ministrat e LSI u zëvendësuan direkt në atë kohë me Visar Zhitin, Halim Kosovën dhe Florjon Mimën.
Sot, PD dhe LSI kanë në kabinetin e qeverisë Rama plot 10 minitra nga 19 gjithësej, si dhe zv.Kryeministren.