Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka thënë se nesër (bëhet fjalë për ditën e sotshme) ky institucion do t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit.
Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka theksuar se, sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, koalicioni PDK-AAK-Nisma ka siguruar 39 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje! 32, koalicioni LDK-AKR-Alternativa 29.
Ajo ka thënë se certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit do të bëhet pas afatit të ankesave. Daka ka treguar se në vonesën e shpalljes së rezultateve ka ndikuar edhe procesi i rinumërimit të gati 500 vendvotimeve.
Mediat vendore dje kanë botuar listat me deputetët nga tre këto grupime ndërsa sot pritet edhe shpallja zyrtare nga KQZ e emrave të deputetëve që do të hyjnë në Kuvendin e Kosovës. (b.an)