Një ditë më parë u qëllua me 4 plumba në një zonë të populluar të kryeqytetit në afërsi të stadiumit “Selman Stërmasi”, ish-pronari i fabrikës së tullave në Vorë, Tefik Hyka. Ndërsa një ditë pas atentatit, të cilit ai arriti t’i shpëtojë ndonëse me plagë në kokë e zemër, dalin edhe dëshmitë e parë.
Burime të BalkanWeb bëjnë me dije se në momentin e krimit, 56-vjeçari ishte në një lokal në shoqërinë e një mikut të tij. Ky i fundit dëshmoi në polici si dëshmitar okular dhe tha se ishte ulur me Hykën në verandën e lokalit dhe po konsumonin kafen e mëngjesit, por shtoi se veprimi i autorëve ka qënë aq i shpejtë sa nuk mundi t’i shohë personat që e plagosën 56-vjeçarin para syve të tij.
I tronditur, ai tha se nuk mund ta harrojë momentin kur e pa mikun e tij të mbuluar nga gjaku. “Në nuk dija çtë bëja, kërkova ndihmë për ta dërguar në spital”,- mësohet të ketë thënë ai në polici, siç raporton BalkanWeb.
Policia e Tiranës shoqëroi për të marrë në pyetje mbi 20 persona. Ndonëse ata nuk kanë pranuar të jenë të përfshirë në ngjarje, burime pranë policisë pohuan se kanë dyshime që njëri prej të shoqëruarve të jetë njëri prej agresorëve.
KONFLIKETET E BIZNESMENIT
Biznesmeni që mbeti dje i plagosur me plumb në kokë e afër zemrës, ka pasur edhe një konflikt pronësie me vëllain e tij Sinan Hyka. Ky i fundit, më datë 14 qershor të vitit 2012, ka bërë një padi civile në Gjykatën e Tiranës ndaj vëllait të tij, Tofikut. Ai kërkonte që të njihej si pronar i një toke me sipërfaqe 350 metra katrorë në fshatin Lalm të Tiranës. Gjykata vendosi që Sinani të njihet si pronar i pjesës së tokës që i takon. Por këtë vendim, Tofik Hyka e ankimoi në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe në 2014-ën u vendos që Sinani të jetë pronar i tokës që i takonte.