Gazetari Endri Xhafo ka komentuar pasditen e sotme rezultatin për zgjedhjet e Bashkisë Kavajë ku PD mori drejtimin me vetëm 28 vota diferencë.
Në një postim në Facebook, Xhafo jep 4 fakte ndërsa shtron pyetjen se nëse Bashkia e Kavajës është shitur apo jo si pjesë e paktit Rama-Basha.
Postimi i plotë i Xhafos:
Faktet janë këto:
1) Për zgjedhjet parlamentare në Bashkinë Kavajë PD mori 894 vota më pak se PS.
2) Për zgjedhjet lokale Bashkia Kavajë kandidati PD mori 28 vota më shumë se kandidati PS.
3) Në korridoret e PS-së dje dhe pardje, gazetarët, burim i dorës së parë, kanë dëgjuar eksponentë të PS-së të thonë: “Sa dobët doli ky Basha”! (Bëhet fjalë për zgjedhjet parlamentare në rang vendi).
4) Në mitingun e fitores dje, Edi Rama falenderoi Bashën që “vuri Shqipërinë mbi partinë” dhe shprehu vendosmërinë për të zbatuar me të marrëveshjen e 18 majit.
Përfundimi:
Çdokush është i lirë t’i lidhë pikat sipas dëshirës. Psh. fitorja e Isa Sakes në Kavajë mund të jetë e ndershme, ndonëse po atë ditë PD humbi thellë përballë PS-së në zgjedhjet parlamentare. Por, tek e fundit, a nuk mori edhe Halim Kosova në Tiranë në 2015 më shumë vota se sa PD dhe koalicioni mbështetës? A nuk fitoi në 2015 në Përmet Niko Shupuli i PD-së, ndërkohë që PS fitoi këshillin bashkiak? E njëjta gjë mund të ketë ndodhur me Isa Saken. Pra, ai fitoi, PD humbi. Tjetra: Shprehja e habisë korridoreve të PS-së për humbjen e thellë të Bashës mund të jetë e sinqertë, siç u habitën gazetarë, analistë, politikanë apo qytetarë të ndryshëm. Kurse vullneti i Edi Ramës për të zbatuar me Lulzim Bashën marrëveshjen e 18 majit, mund të jetë thjesht vullnet për të vazhduar reformat në emër të integrimit europian të vendit.
Pra, sekush mund t’u bëjë fakteve publike interpretimin që do. Por, mund të ketë edhe një interpretim tjetër:
Kavaja mund të jetë lënë nga socialistët, që Basha të kishte të paktën një fitore të vockël në këtë uragan humbjeje. Burime më konfirmojnë se sot Edi Rama u ka kërkuar disa biznesmenëve mbështetje për Bashën, ndërkohë që procedura e shpallur nga Basha për garën për kreun e partisë është anti-statutore. Oligarkët mesa duket kanë interes që Rama të qeverisë i pashqetësuar 4 vitet e ardhshme për këtë, ose janë hedhur lekë, ose do të hidhen, duke mbyllur shpejt shumë pazare. Ngjan ironike ta mendosh, aq më shumë ta thuash, por sot, kryetarin e PD-së, e vendos Kryeministri! Turp!