Nga Mira Kazhani
…Të martën mund të vish për ditarin me KM në Tropojë. F!
Mesazhi i Fugës (Endri Fuga) në celular vjen si një përgjigje e mirë; që më në fund pas kushedi sa vitesh që kam kërkuar (e pranoj jo me ndonjë këmbëngulje heroike se nuk e pëlqej gazetarinë që të ngjitet si ‘ai në këpucë) një intervistë me Edi Ramën.
Nuk e keni vënë re diçka? Është trend, modë, stil dhe rrogë të shash bukur Edi Ramën, ose ta mundësh me fjalë më të bukura sesa ai. Të vishesh më bukur sesa ai! Të të bjerë në mend ty, para atij! Të jetosh edhe ti në të ardhmen, si jeton ai! Të kesh pushtetin, që ka ai! Të kesh edhe ti mëkatet, si ai! Për mua ka patur dhe do ketë një garë me Edi Ramën, jo si kryeministër, por si personazh i kohës. Brenda çdo urrejtje ka dashuri, por këto nuk janë tema që mund t’ua gjej fillin modestia e dijeve të mia në fushën e psikologjisë.
Në Tropojë kam qenë për herë të parë në vitin 2003. Ishte në atë kohë Blendi Klosi, Ministër Kulture dhe në qytetin e Bjeshkëve shkoja si reportere për të ndjekur një festival. Cinike, po e marr përsipër të them që as nuk e mbaj mend. Kujtoj vetëm që organizatorë i festivalit ishte deputeti i PD-së Azgan Haklaj, për të cilin zbulova se ishte edhe valltar. E vetmja gjë ekzotike ishte ky zbulim.
Shija që na lënë udhëtimet është më e fortë sesa ngjarjet në vetvete,- thoshte pedagogu im i psikologjisë.
Tropoja ma vërtetoi që në udhëtimin e parë. Rruga ishte e bukur, por kurioziteti për Tropojën me Bjeshkë, Berishë dhe borë lidhej nyjë në imagjinatën time prej reportereje fare të re. Në traget më ndërmenden ende disa burra që qeshnin në një mënyrë që nuk ngjante me gëzimin dhe e dëgjoj sikur të jetë tani duke ndodhur, zhurmën e gurëve të dominosë tek përplaseshin sfidueshëm në një tavolinë druri.
Përvoja e parë në Tropojë ishte depresive, për fat të keq! Atje nuk kish asgjë. Edhe njerëzit që ndeshje në rrugë, sikur nuk i ngjanin njeriut. Por isha edhe shumë e re për të kuptuar se në atë vend nuk ishte tharë ende llava e konflikteve të përgjakura, të dala edhe nga disa vrima të politikës. Bashkë me vrasjet fizike në Tropojë qe vrarë edhe ‘Njeriu’. Nuk shihje dot dikë në sy, nuk përgjigjej askush me mirësjellje. Edhe dritaret, edhe ajri ishin me nerva. Si në një gjendje prite!
Pse zgjodha që Edi Ramën ta sjell për ndjekësit e Tiranapost.al përmes një ditari!
-Nuk kam dashur të bëj një punë, që e praktikojnë pothuaj 6 kolegë të ndryshëm mbrëmjeve/ ekraneve që dallojnë më shumë nga studio, se nga pyetjet. Veç faktit që disa prej tyre e bëjnë shumë mirë këtë punë dhe besoj është përpjekje e lodhur të imitojmë njëri-tjetrin: A thua se Rama ‘gladiatori’ dhe ne shkojmë matemi me të. Meqë ra fjala ka intervista, që do shërbenin si model që nuk duhet ndjekur që nga fustanet me dantellë (mënyra si duhet të jetë veshja kur interviston kryeministrin e vendit në prime time) apo te dialogjet e mjera deri tek thoi i këmbës.
Si gazetare, Edi Ramën kam dashur thjesht ta pyes, dhe nuk ka qenë kurrë e thjeshtë pra. Pyetje naive mundësisht, kërshëri njerëzore. Mbase njerëzia do të dijë si është përdita e një dominanti të jetës publike. Tani që e kam takuar mendoj se kam kërkuar të heq një cipë nga Edi Rama që shohim prej larg, prej studiosh, live stream-esh, prej parlamenti apo dhe plazhi po deshët ju!
Në 13 qershor, në makinën ku udhëtonte Kryeministri drejt Tropojës (këtë të fundit e gjeta pak a shumë si atëherë në 2003, ndoshta dritaret ishin çelur vende-vende) për 30 minuta folëm për Edi Ramën me Edi Ramën. Kur zbrita nga makina, kameramani më tha: -Mira, ky është më normal se ne!
Ditar me Edi Ramën: Rrëfimi ndryshe i Edi Ramës brenda makinës
Mira Kazhani: A ke parë sa like ke kap me videon e policit?
Edi Rama: S’i kam ndjek këto kohë, po më kanë thënë se ka pas shumë.
Mira Kazhani: Shumë fare, 360 K. Dhe kam bërë një hulumtim të vogël. Ke më shumë fansa në Facebook edhe se Renzi në Itali.
Edi Rama: Këtë e kam të qartë përpara shumë kohësh, edhe se Macroni…
Mira Kazhani: Po mirë, televizioni si të erdhi si ide? ERTV-ja!
Edi Rama: Tani që të flasim seriozisht, ai nuk është televizion. Ai është një ekran ku shfaqen live ose jo live filmimet të miat të kohës së punës, etj. etj… Sigurisht ajo mund të zhvillohet më tutje, të shohim si do të zhvillohet po për momentin ai është thjesht një ekran Facebook-u.
Mira Kazhani: Po a e ndjeni që ka krijuar shumë xhelozi tek pronarët e televizioneve? Kur kryeministri ka televizionin e vet, s’kemi më çfarë nderi t’i kërkojmë.
Edi Rama: Po, jo..
Mira Kazhani: Edhe ta detyrojmë për një kronikë, ka krijuar vërtet xhelozi.
Edi Rama: Kjo tregon që paskam bërë gjënë e duhur.
Mira Kazhani: Ok. Në çfarë ore zgjohesh në mëngjes?
Edi Rama: Në 7.
Mira Kazhani: Mbrëmë kur ke fjetur?
Edi Rama: Në 4.
Mira Kazhani: Në 4 fle gjithmonë?
Edi Rama: Jo mbrëmë në 4, po normalisht në 2.
Mira Kazhani: Nuk është pak gjumë?
Edi Rama: Kaq është.
Mira Kazhani: Ja del?
Edi Rama: Po, mesa duket.
Mira Kazhani: Mesa duket. Zakonisht kur shkon në një qytet i mendon fjalimet në kokë? Mban shënime dhe pastaj, apo në përgjithësi janë spontane dhe pak a shumë dihet strategjia e fushatës?
Edi Rama: Është strategjia që është e përcaktuar dhe pastaj, mbi mesazhe strategjike ndërtohet dhe pjesa spontane, sipas vendit, sipas personazheve. Njerëzit vijnë, sepse unë jam bërë pak dhe si ariu Silva, që kishim kur ishim të vegjël. Shkonim te cirku i Tiranës dhe prisnim aty jashtë që të dilte Silva me Tahir Baçovën që e tërhiqte prej dore dhe ne i shkonim nga prapa. Ishte një lloj atraksioni turistik.
Mira Kazhani: Je i vetëdijshëm për këtë? Që je atraksion turistik? Si personazh ndryshe për ne, domethënë: Kryeministër me tuta, kryeministër që bën disa gjëra, që nuk i bëjnë të tjerët, ndryshe…
Edi Rama: Unë nuk është puna që bëj gjëra që nuk i bëjnë të tjerët, unë kështu jam, kështu kam qenë gjithmonë. Nuk është se i bëj për t’u dukur, apo për t’u shfaqur ndryshe apo për të qenë atraksion: i bëj, sepse kështu jam. Kështu kam qenë gjithmonë. Qëkur isha i vogël, që gjyshja bënte trikot, unë i tregoja dizajnin si duhet bërë triko. Kështu, që gjithmonë kam pasur këtë prirje për të provuar gjëra të ndryshme.
Mira Kazhani: As nuk i ngjan Shqipërisë Edi Rama dhe as të ngjan! Dhe megjithatë ja ke dalë të bësh bashkë një pjesë.
Edi Rama: Në dukje ndoshta, por në përmbajtje jam shumë shqiptar unë, kështu që nuk diskutohet që i ngjaj shumë Shqipërisë dhe më ngjan shumë Shqipëria në kuptimin e shumë gjërave.
Mira Kazhani: Për çfarë e do më shumë Shqipërinë? Ja kur ecën rrugëve të Shqipërisë gjatë këtyre ditëve në fushatë çfarë ndjen kur e shikon? Nuk është shumë e bukur. Natyra është e bukur, por shiko vendin si është bërë?
Edi Rama: E kundërta, është një vend që siç thonë shkodranët “e ka ba Zoti për telha”. Domethënë e ka bërë Perëndia për ditë pushimi, ditë të diele. Kur them këtë, kam parasysh që është nga pikëpamja e natyrës nga pikëpamja e larmisë gjeografike, nga pikëpamja e burimeve natyrore, është qëndisur nuk ka diskutim. Një vend kaq i vogël me dy dete, me lumenj me pasuri ujore të jashtëzakonshme. Dhe pastaj kur sheh ndërhyrjet e robit aty fillon mërzitesh.
Mira Kazhani: Për atë po them dhe unë.
Edi Rama: Por, ndërkohë kupton dhe se çfarë potenciali se sa shumë gjëra mund të bëhen. Dhe gjëja më frymëzuese është… Për mua të paktën kur shoh Shqipërinë është që të parët tanë kanë qenë shumë me sqimë në atë që kanë ndërtuar. Nuk kanë udhëtuar aq sa ne, nuk kanë ditur gjëra që mbase ne i dimë, por nuk kanë bërë mëkatet e pafundme, që kemi bërë ne në këtë periudhë.
Mira Kazhani: Çfarë do të doje të bëje për Shqipërinë? Një dëshirë që ndoshta nuk varet edhe nga 4 vitet e ardhshme.
Edi Rama: Këtë Shqipëri mund ta bëjmë. Unë mendoj që Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe do të bëhet patjetër një vend turistik, një vend tërheqës dhe një vend i mirëqenies, sepse ka burime shumë dhe mjafton një organizim i mirë i këtij rrjeti njerëzish për ta organizuar këtë potencial.
Mira Kazhani: Çfarë ka ndodhur me gratë që e pëlqejnë shumë Edi Ramën?
Edi Rama: Nuk di çështjen e tifos, di vetëm bindjen time…
Mira Kazhani: Duhet ta dish nga sondazhet…
Edi Rama: Jo, jo e kam bindjen time, që kur kam filluar të punoj në punë shteti si ministër kulture dhe prapa në Bashki. Janë shumë më të besueshme dhe shumë më efiçente në punë dhe patjetër që janë garante të ekuilibrit në shoqëri dhe ajo që e them si batutë është ajo që ka thënë Thatcher-i: “Kur do të bësh muhabet ulu me një burrë, kur do të bësh punë ulu me një grua.”
Mira Kazhani: Edhe me Bashën mbarove punë.
Edi Rama: Hmmm, nejse.
Mira Kazhani: Në makinë kur udhëton, çfarë bën? Dëgjon muzikë, lexon portale, informacione, nuk e di… Si e kalon kohën?
Edi Rama: Kohën e kaloj në Facebook. Kur bëj komente në Facebook, jam 99% të kohës në makinë.
Mira Kazhani: I shkruan vetë përgjigjet, nuk është se i bën stafi?
Edi Rama: Ato përgjigjet po.
Mira Kazhani: Ka shumë dilema i bën stafi apo…? Mua më duken si dora jote.
Edi Rama: Jo, i shkruaj vetë.
Mira Kazhani: Disa e konsiderojnë këtë si humbje kohe
Edi Rama: Jam në makinë e para, e dyta nuk është humbje kohe është pjesë e detyrës sime që unë të komunikoj. Komunikimi është pjesë kryesore e detyrës, mua nuk më kanë ngarkuar që të punoj me kazmë, më kanë ngarkuar që të mendoj, të drejtoj, të komunikoj.
Mira Kazhani: Sa kohë ka që nuk ke lexuar një libër, a ke kohë?
Edi Rama: Jo, lexoj unë, vazhdimisht lexoj.
Mira Kazhani: Në ato kufjet që mban çfarë muzike dëgjon, ke ndonjë grup të preferuar?
Edi Rama: Dëgjoj përgjithësisht muzikë klasike, pjesën e fundit mund të themi të autorëve të mëdhenj Gustav Mahler-in, Stravinsky, pastaj midis tyre patjetër futen edhe të tjerë. Futet dhe Bethoveni, dhe të tjerë, por me Gustav Mahler-in dhe Stravinsky jam shumë i lidhur. Edhe me grupin e kompozitorëve rusë më pas, Shostakovich etj.
Mira Kazhani: A ka ndonjë gjë që e mahnit Edi Ramën?
Edi Rama: Për shembull ka momente, që unë mund të jem shumë i ngarkuar ose dua që të çlirohem nga ngarkesa dhe Requiem i Mozart-it është kështu sikur më transporton në një sauna shpirtërore dhe dal prej aty komplet i pastruar.
Mira Kazhani: Nga Stravinsky në Tropojë për shembull?
Edi Rama: S’ka rëndësi…
Mira Kazhani: Nuk të shqetësojnë ekstremet?
Edi Rama: S’janë ekstreme, ato përkundrazi përputhen
Mira Kazhani: Ideja për t’u veshur me tuta në fushatë ishte sigurisht e jotja…
Edi Rama: Nuk ishte ideja, nuk është për ide fjala, ishte thjesht për lehtësinë e të lëvizurit. Nuk ka qenë qëllim, si të thuash që hajde të vishem me tuta në fushatë.
Mira Kazhani: Vetë i blen? I zgjedh vetë?
Edi Rama: Këto janë të gjitha dhurata të Lindës!
Mira Kazhani: Si ja bën gjatë ditës? Ku ndërrohesh?
Edi Rama: Po, po i kemi zgjidhur ato punë me kohë, mos ki merak!
Mira Kazhani: Po besoj, i kombinon vetë?
Edi Rama: Po, natyrisht kur shkoj i marr diçka në mëngjes kam dhe unë parasysh diçka në mendje, se nuk vishem me sy mbyllur.
Mira Kazhani: Bën shopping vetë?
Edi Rama: Vetëm, kur ndodh që të jem me Lindën jashtë, por nuk jam shumë i dhënë. Nuk jam shumë i dhënë!
Mira Kazhani: Për çfarë je shumë i dhënë, përveç politikës? Një gjë që e bën me qejf kur ke kohë?
Edi Rama: Një gjë që e bëj me shumë qejf është që të rri në shtëpi dhe të shikoj filma. Jam shumë i dhënë pas kinemasë dhe në fund të ditës sime gjithmonë ka një film deri në 2 të natës. Domethënë, pasi kam mbaruar gjithë detyrat e tjera do e shoh një gjysmë filmi, një çerek filmi, një film të plotë, varet, por gjithmonë kinemaja është një pasion.
Mira Kazhani: Çfarë filmi do të më sugjeronit të shihja këtë fundjavë?
Edi Rama: Nuk e di në çfarë ujërash noton ti në kinema, por unë për shembull do të sugjeroja të shikoje “Homeland-in”. Ka shumë seri, por është shumë i bukur.
Mira Kazhani: Kam parë “Designated Survivor” në Netflix.
Edi Rama: Homeland është më i bukur.
Mira Kazhani: Është më i bukur… se disa kohë u bë modë ajo “House of Cards”, është e vërtetë që i binde të gjithë ministrat e tu ta shihnin? Shpresoj të mos e kenë shembull atë, personazhin e “House Of Cards”! Do të ishte e frikshme.
Edi Rama: Jo, asnjëherë! Nuk e kam dhënë këtë këshillë, megjithëse filmi është i bukur dhe aktori është i paparë, është fantastik Kevin Spacey. Tani ka filluar sezoni 5, por nuk e kam prekur akoma.
Mira Kazhani: Do ta shohësh edhe sezonin 5?
Edi Rama: Patjetër, patjetër!
Mira Kazhani: Kam vënë re diçka këto kohë: të shoh më të lumtur kur takohesh me ato plakat, edhe i puth gjithë dashuri, sesa kur të shoh në studion e Fevziut për shembull? Aty, shkon tërë nerva, i mërzitur… Si i bezdisur dukesh nga kolegët e mi!
Edi Rama: Nuk jam prej kohësh me nerva unë. Nuk kam nerva. Mua ajo ç’ka më tensionon ose më nervozon është kur një punë nuk bëhet ashtu siç duhet. Puna është ajo që më nervozon. Në raportet me njerëzit, në raportet me fushën e shahut, nuk nervozohem. Prej kohësh jam shumë i distancuar, kur bëhet fjalë për të bërë lëvizjet në fushë.
Mira Kazhani: Si ja bën një njeri që është në shënjestrën e të gjithëve 24 orë, në vëmendjen e të gjithëve, qoftë edhe në dashurinë e të gjithëve, (se edhe dashuria ndonjëherë të bëhet e lodhshme). Zgjohesh dhe sheh akuza, sulme dhe duhet të japësh shpjegime. Të shkosh nga një miting, që duhet t’u bësh njerëzve, në një marrëveshje me kundërshtarin. Si ja bën?
Edi Rama: Mësohesh… mësohesh! Unë e kuptoj mbingarkesën vetëm kur shkoj me pushime. Pas 48 orësh jam i vdekur. Aty, pastaj e kuptoj çfarë ngarkese e madhe duhet çliruar. Jam i vdekur, domethënë në pushime unë nuk e di sa shumë fle, sa s’besoj se fle kush.
Mira Kazhani: Sivjet ku do i bësh pushimet? Do pushosh?
Edi Rama: Pas fushate, me Lindën, Zahon dhe kush tjetër do të na bashkëngjitet nga kalamajtë, apo dikush tjetër nëse na bashkëngjitet. E kemi shumë të mezipritur momentin, kur do të jemi të shkëputur nga gjithë kjo vorbull e madhe. Pushimet do i bëjmë këtu, këtu në detin tonë.
Mira Kazhani: Përpiqem të të imagjinoj në parlamentin e ri dhe mungojnë shumë personazhe që mund të ta ngacmonin trurin, nuk dimë sesi do të jetë Edi Rama, e zëmë se do t’i keni 71 mandate dhe do të jeni sërish duke qeverisur vendin. Do jeni ju dhe disa shumë të rinj?
Edi Rama: Në të gjitha rastet në parlamentin e ri do të vazhdoj të ndihem mjaftueshmërisht i ri, sepse kur të filloj të dyshoj do shikoj Saliun dhe do të them:- o kam edhe shumë kohë, përpara se të vendos të largohem dhe të bëhem një pensionist që nuk i ndahet Parlamentit, njësoj si ata të moshuarit që nuk i ndahen dominosë.
Mira Kazhani: Të pëlqen fakti që është aty apo jo?
Edi Rama: Unë s’do e bëja kurrë dhe shpresoj që mos e bëj vetë, se kollaj është kur sheh të tjerët, por puna është mos bëhesh si puna e asaj shprehjes “një ditë do vdesim, ndoshta dhe unë”, domethënë vetja të duket gjithnjë rast përjashtimor. Po unë shpresoj që pasi të mbaroj këtë punë, s’kam më punë me parlamentin.
Mira Kazhani: Po kur do e mbarosh? Pas 4 vjetësh?
Edi Rama: Kur të mbarojë… ta shikojmë.
Mira Kazhani: Se kështu thotë dhe Saliu, kur të mbarojë, por s’i ka mbaruar, mbase të zgjat 20 vjet.
Edi Rama: Një gjë e di, nuk do lejoj, do bëj çmos të paktën, që të iki pa humbur. Kështu që do iki përpara se të humbas. E sigurt!
Mira Kazhani: Do shkruash libra në jetën tënde të tretë?
Edi Rama: Ka shumë gjëra për të bërë. Sa gjëra ka… Politika është fantastike, por është shumë më pak se jeta. (Tiranapost.al)
Ditar me Edi Ramën by fatajgeljano