Presidenti i ri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, bëri inaugurimin të premten në Beograd.“Gjendemi në rrugën evropiane, duam të mbetemi aty, të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë. Duam marrëdhënie të mira me SHBA-në, por u krenohemi edhe marrëdhënieve të mira me Rusinë”, tha Vuçiç.
Ceremonia e inaugurimit u mbajt në Pallatin e Serbisë në Beograd, i cili ka shërbyer si seli e qeverisë së ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, transmeton Rel. Ceremonia u ndoq nga rreth 5,000 të ftuar, përfshirë të dërguar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.
Delegacioni amerikan u kryesua nga Hoyt Brian Yee, zëvendësndihmës i sekretarit të Shtetit, ndërsa ai rus nga zëvendëskryeministri Dmitry Rogozin.“Së bashku mund të lëvizim malet”, tha Vuçiç para të pranishmëve. Ai pason në postin e presidentit Tomislav Nikoliçin. (b.an)