Ka një alarm të ngritur në kufinjtë e panikut për cilësinë e produkteve ushqimore në Shqipëri. Duke nisur me frutat e perimet, me prodhimet e qumshtit apo të mishit.
Pakkush mund të shpjegojë se çfarë po ndodh me domatet që skuqen papritur si mollëza virgjëreshe.
Askush nuk e di pse kastravecat rriten aq shpejt si krenaria e ngacmuar mashkullore.
Edhe pse ka specialistë që mund të japin përgjegje, pakkush pranon të dëgjojë argumentin e arsyes. Alarmi i tyre ka pasur fatin e zileve që tunden nga era në kohën e këmbanave. Në marrëzinë kolektive që mbërthen vendin para, gjatë dhe pas fushatave elektorale – secila nga to zgjat fiks katër vjet – duket se askush nuk ka as nge, as dëshirë dhe as interes të dëgjojë për rreziqe reale, sa kohë që bombardohet me realitete virtuale. Publikut i serviret ambalazh ngjyra-ngjyra ëmbëlsirash nga studioja në studio, nga një portal në tjetrin e nga një gazetë tek tjetra, për të përfunduar të gjitha bashkë në përditshmërinë pothuaj orientale “kafe-llotosport-kafe-llotosport-kafe” në çdo qytet shqiptar. Nga qendra e Tiranës deri në periferinë më të thellë.
Në thelb është tërësisht e kundërta dhe duhet të jetë e kundërta. Këmbanë duhet të jetë pikërisht alarmi për domatet dhe kastravecët, për mishin dhe sallamin, për qumështin dhe djathin, për gjithë ato produkte që prodhohet, importohen, blihen e shiten pa garanci. Përballë tyre, historitë me timon dhe tepsi, me republikë të re dhe xhama të thyer, janë një rendje e frikshme drejt sipërfaqes. Fushata është thjesht ftesa për t’u zhytur në televizor kur ekrani tregon detin. Fushata, fatkeqësisht u shenjua nga debati për seksin e ëngjëjve, kur djajtë premtojnë t’i marrin të gjithëve shpirtin.
Kjo fushatë do të jetë një pikë tjetër shënjimi, që me përjashtime të rralla, vërteton dhe njëherë se dy janë dështimet themelore të këtij vendi në pothuaj tre dekada pluralizëm. Administrata inekzistente në thelb dhe klasa butaforike politike e cila jo vetëm nuk është ngjitur mbi nivelin mesatar të qytetarit shqiptar, por është shumë më poshtë nivelit mediokër të tij. Ky binom dështimesh është demonstrimi se daullet triumfojnë mbi violinat; se paaftësia dhe militantizmi i verbër, rendja mbas sipërfaqes dhe injorimi i thelbit, megalomania shurdhuese dhe shurdhëria përpara modestisë, aftësia për t’u marrë me pjesën dhe nguti për të refuzuar të tërën, akuzat spektakolare në opozitë dhe heshtja prej varreze në pushtet, pra, gjithçka e tillë, ka krijuar një marrëdhënie si gozhda me dërrasën.
Në çdo katër vjet shqiptarëve ju afrohet shpikja e Vitit Zero, për ardhjen a largimin nga pushteti, a thua se oferta ju vjen nga Jezu Krishti a Muhammedi,
Në Ballkan në përgjithësi, por dhe në Tiranën politike në veçanti, e kanë për turp të merren me gjëra të vogla dhe të parëndësishme. Nëse dikush do të fliste në fushatë për domatet me hormone, me siguri hormonet buçitëse të militantëve do ta zinin me domate; podiumet kanë programuar të flasin vetëm për plane të mëdha, arritje spektakolare dhe dhurata ndërplanetare. Partitë kanë premtuar çdo katër vjet se do të krijojnë për herë të parë Shqipërinë në hartën e shteteve të Evropës dhe kësaj rradhe, madje kanë garantuar se mbas 25 qershorit do të shpiket nga e para edhe rrota, edhe zjarri, edhe seksi.
Përpara këtyre dhuratave fundore që bën politika, domatet, kastraveci, bulmetrat, mishi dhe sallami, janë detaje pa pikë rëndësie. Janë pjesë e urimit të pandryshueshëm: paç fatin e … politikës! Fatin e politikës në përgjithësi dhe jo vetëm të asaj në këto tre dekadat e fundit me pluralizëm. Por dhe palopolitikës në katër dekada e ca komunizëm. Madje edhe më tej, në politikën shqiptare me mbretëri, orientalizëm dhe anarki. Dhëntë soti që nesër të mos ketë një arsye të fortë për të thënë: Ishim më mirë kur ishim më keq! Pa fushatën e sivjetshme që rikonfimon se në 25 qershor do të shpiket edhe rrota, edhe zjarri, edhe seksi… i ëngjëjve!