Në një analizë të thellë mbi situatën politike në Shqipëri, një prej gazetave më të rëndësishme në botë, “Financial Times”, është ndalur në performancën e koalicionit PS-LSI gjatë mandatit të parë qeverisës.
Argumenti më i rëndësishëm në të cilën gjigantja britanike fokusohet është reforma në drejtësi dhe ndryshimi epokal që kjo reformë pritet të sjellë në “vendin e dytë më të varfër të Europës”.
Sipas gazetës, variant më i mirë për Shqipërinë do të ishte që këto zgjedhje të formojnë një qeveri të fortë, e cila të jetë në gjendje të drejtojë e vetme, pasi përvoja e vendit tonë tregon se ndarja e pushtetit nuk funksionon.
“Me një mandat më të fortë, z. Rama do të ndeshte më pak pengesa në qeverisjen e ardhshme 4-vjeçare”, shkruan gazeta, e cila përkufizon bashkëjetesën me LSI si një “partneritet me grindje të vazhdueshme”.
“Financial Times”, tejkalon kufirin e të qënit “politikisht korrekt”, kur i bën një faturim të qartë përgjegjësisë për moszbatimin e plotë të reformës në drejtësi gjatë këtij mandati të parë.
“Partia e z.Meta mbajti nën kontroll drejtësinë, që trajton edhe çështjet e pronësisë, edhe gjyqësorin, por hezitoi të mbështeste reformat. Z. Rama refuzoi të diskutonte për një koalicion të ri me ta përpara votimeve”, shton më tej e përditshmja britanike.
Në vijim, mund të lexoni të plotë artikullin e “Financial Times”:
Zgjedhjet që do të përcaktojnë të ardhmen europiane të Shqipërisë
Fredi Muho ishte tepër i lumtur kur një gjykatë apeli i njohu familjes së tij pronësinë e një parcele toke prej nëntë hektarësh me pamje nga plazhet me rërë në bregdetin e thyer shqiptar të Adriatikut.
Por, ëndrrat e tij për të ndërtuar një hotel të vogël për turistë u përmbysën brenda disa javëve për shkak të rregullave të ndërlikuara të vendit mbi të drejtat e pronësisë dhe prej korrupsionit të përhapur në sistemin gjyqësor.
“Dikush që nuk e kisha takuar kurrë kishte ngritur një kundërpadi për token time në një gjykatë rrethi duke përdorur dokumente të rreme dhe e fitoi çështjen,” tha taksisti. “Mua m’u kërkua të paguaj mijëra euro që të fitoja çështjen, por refuzova.”
Shtatë vjet më vonë, z.Muho shpreson që zgjedhjet e përgjithshme të së dielës do të sjellin një kthesë në fatin e tij.
Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë shpreson që të fitojë një mandat të dytë përmes një platforme në të cilën premton largimin e gjyqtarëve të korruptuar, si dhe qartësimin e të drejtave të pronësisë.
Zgjedhjet, që do zhvillohen në një sfond të shqetësimit ndërkombëtar lidhur me paqëndrueshmërinë në rritje në Ballkan, janë edhe të destinuara t’i japin formë fazes tjetër të marrëdhënieve të Tiranës me BE-në. Progresi në të drejtat e pronës dhe luftës kundër korrupsionit ishin ndër kushtet e vendosura nga BE për hapjen e negociatave të shumëpritura të anëtarësimit. Vendi është anëtar i NATO-s që në 2009 dhe një kandidat zyrtar për anëtarësim në BE që prej 2014-s.
Problemet e pronave “kanë qënë lëmsh prej vitesh” dhe kanë ndikuar mijëra njerëz, thotë z.Rama. Regjimi komunist i Enver Hoxhës ka ruajtur me kujdes tapitë që u përkisnin pronarëve të mëparshëm në kuti metali pas shpronësimit të pronave private. Kur kutitë u hapën në 1991-n pas përfundimit të periudhës komuniste, falsifikimi ishte i papërmbajtshëm.
Z.Rama tha se qeveria ka caktuar një fond kompensimi prej 500 million euro për të ndihmuar mbulimin e pretendimeve përgjatë dekatës së ardhshme. “Kemi hedhur bazat për të arritur një zgjidhje,” shtoi ai.
Sa i përket korrupsionit në sistemin ligjor, Parlamenti u mblodh këtë javë për një seancë të jashtëzakonshme për të miratuar legjislacionin që synon të pastrojë gjyqësorin. Rreth 1,000 gjyqtarë, prokurorë dhe asistentë ligjorë do të përballen me proceduren e vetingut që do të monitorohet nga një komitet gjyqtarësh dhe prokurorësh nga SHBA-ja. Pothuajse 400 prej tyre përballen me akuza për korrupsion.
“Ata duhet të justifikojnë burimet e të ardhurave të tyre, shumë prej tyre janë të pasur në mënyrë të paarsyeshme, si dhe të vërtetojnë që nuk kanë lidhje me krimin e organizuar” tha z.Rama. “Gjithashtu ata do të testohen mbi kompetencën e tyre.”
Përfundimi i ligjit ka rritur mbështetjen për partinë e z.Rama. Një sondazh opinion nga IPR Marketing of Italy për “Ora Neës”, një stacion televiziv privat shqiptar, parashikoi që socialistët do të merrnin 48% të votave përballë 33% për Partinë Demokratike të qendrës së djathtë nën drejtimin e Lulzim Bashës, një ish-minister i jashtëm.
Gjithsesi, një avantazh me dy shifra mund të mos mjaftojë për t’u siguruar socialistëve një mazhorancë të plotë në parlamentin me 140 vende. Në mandatin në përfundim, z.Rama ka qeverisur falë një koalicion të përfshirë shpesh nga grindjet e brendshme, me Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), drejtuar nga Ilir Meta, një ish-kryeministër që u bë President i Shqipërisë në një votim parlamentar në Prill.
Me një mandat më të fortë, z. Rama do të ndeshte më pak pengesa në qeverisjen e ardhshme 4-vjeçare. Partia e z.Meta mbajti nën kontroll drejtësinë, që trajton edhe çështjet e pronësisë, edhe gjyqësorin, por hezitoi të mbështeste reformat. Z. Rama refuzoi të diskutonte për një koalicion të ri para votimit.
Në vendin e dytë më të varfër në Europë, ritmi i transformimit mbetet në pikëpyetje. Fushata zgjedhore është plot me akuza e kundërakuza mbi faktin se cila parti ka më tepër përgjegjësi për normën kronike të lartë të papunësisë në Shqipëri, që i detyron shumë të rinj të emigrojë, si dhe ritmin e ngadaltë të ndërtimit të infrastrukturës së re.
“Njëzet e shtatë vjet pas rënies së komunizmit disa nga zgjedhësit e mi ende ndeshin vështirësi në plotësimin e nevojave bazë. Ata ende duhet të përballen me ndërprerje të energjisë elektrike dhe të furnizimit me ujë, përveç varfërisë dhe papunësisë së lartë,” thotë Rudina Hajdari, një e diplomuar në shkenca politike në SHBA dhe kandidate demokrate në një nga lagjet rurale të Tiranës.
Një tjetër pikë e dhimbshme është dështimi i Shqipërisë në luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar. Kultivimi i kanabisit, pjesa më e madhe e së cilës e gjen rrugën drejt BE-së, ka njohur rritje në vitet e fundit.
Periudhat parazgjedhore në zgjedhjet e mëparshme shqiptare kanë shënuar protesta të dhunshme, por trazirat janë shmangur këtë herë. Demokratët, pasi refuzuan të marrin pjesë në veprimtarinë parlamentare për disa muaj, duke kërcënuar bojkotimin e zgjedhjeve, papritur pranuan të marrin pjesë. Marrëveshja pasoi ndërhyrje nga vizitat e zyrtarëve të BE-së dhe SHBA-së, që i druhen paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor në një kohë kur ndikimi rus në rajon është rritur.
“Demokratët ndihen veçanërisht të kërcënuar nga reforma në drejtësi sepse shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë emëruar kur ata ishin në fuqi. Megjithatë, në vend që ta përshkallëzojnë konfliktin, Basha dhe Rama si përfundim bënë një marrëveshje,” tha Ilir Kalemaj, një analist politik.
Nëse vëzhguesit ndërkombëtarë gjykojnë se zgjedhjet do të jenë pa problem kjo do të rrisë mundësinë e Shqipërisë për të nisur negociatat e anëtarësimit nga fundi i këtij viti dhe t’i bashkohet BE-së rreth 2022-it.
Më shumë se çereku i popullsisë llogaritet se punon tashmë në BE, shumica në Greqi e Itali. Një zyrtar perëndimor tha se anëtarësimi në BE shihet si një “rezultat i pashmangshëm nga liderët politikë të Shqipërisë, por nuk ka pasur shumë emergjencë për të arritur deri atje”. (LEXO.AL)