Ka qenë një nga lajmet që ka tronditur opinionin publik, madje do të mbetej i pabesueshëm nëse nuk do të kishte veprime konkrete të institucioneve policore shqiptare për të mbrojtur të moshuarën Zhane Zari… nga vajza e saj, këngëtarja e mirënjohur Eda Zari. Po sipas policisë dhe drejtësisë shqiptare Eda Zari ka dhunuar nënën e saj dhe policia e shtetit ka lëshuar një urdhër mbrojtje, ku e detyron këngëtaren e jazz- it ti qëndrojë nënës së saj 500 m larg. Po kështu është një vendim i shkallës së parë ku dënon Eda Zarin me 6 muaj heqje lirie.
Nëna e Eda Zarit, Zhane Zari, 78 vjeç rrëfen për herë të parë, në mënyrë ekskluzive për Report Tv, arsyen e konfliktit me të bijën, të cilat sollën më pas dhunën dhe rrëmbimin e pasurisë. Nuk ishte e lehtë për të vendimi për të dalë në media, por mesa duket kjo është vetmja mënyrë e mbetur për t’i kërkuar vajzës së saj të dytë, Eda Zari, të reflektojë dhe të kthejë të gjitha gjërat siç qenë, përfshi dhe rrëmbimet e pronave për të cilat nëna e saj e akuzon.
Po si nisi i gjithë konflikti në familje Zari?
Sipas zonjës Zhane Zari, një lidhje jashtëmartesore e të bijës ka qenë zanafilla.
“U njoh me një shok dhe filloi duke e sjellë atë shokun në shtëpi. I thashë ‘ç’është ky, ti tani ke burrin apo ke shokun?’ Këtu filluam debatin dhe më mori inat, se unë nuk e lija që të vinte me gjithë shokun aty, ajo ishte me burrë dhe me fëmijë. Kjo ishte faza e parë që bëmë llafe. Pastaj filloi të bënte llafe, ‘jo po pse i flet ti Sokolit, pse e kundërshton’. Moj ç’më lidh mua me atë, pse ma sjell në shpi i thashë, ti je me burrë me fëmijë, domethënë si nëna me fëmijën. Iku kjo, filloi të bërtiste ‘ta rregulloj unë dy, ke për ta parë se çfarë do të të bëj’, u bë si e çmendur. Ky tani në këto kohë që bëra llafe se u mërzit se i thashë mos ma fut në shtëpi më futi duart në fyt. Unë bërtisja dhe erdhi komshia edhe e kapi ‘Çfarë bën more maskara, merresh me një copë plakë. E di ti se tani unë shkoj e lajmëroj policinë’. Më hoqi duart dhe e shikoi atë duke kërcitur dhëmbët dhe iku. Ajo donte vetëm të më rrihte, më merrte më përplaste. Unë i flisja ajo thoshte të gjitha kam për të t’i marrë”, rrëfen Zhane Zari. Konfliktet që arritën deri në dhunë fizike për shkak të lidhjes së Eda Zarit me mikun e saj nuk do të ishin shqetësimet e vetme për zonjën Zhane. Prej vitit 2012, e bija ka filluar të marrë pronat e familjes, dhe sipas të moshuarës, të gjitha këto janë kryer duke falsifikuar dokumentacionet.
Zhane Zari, tregon për herë të parë në media se si e bija i merrte dokumentet origjinale nga shtëpia. “Ajo vinte në shtëpi hante bukë dhe më thoshte do shkoj të shtrihem se jam lodhur edhe futej te dhoma e gjumit e kyçej. Unë të gjitha dokumentet e tokave dhe shtëpive i kisha në një çantë dhe i mbaja gjithmonë në dollap atje. Kjo tani kontrollo andej, kontrollo këtej çfarë gjente dokumente i merrte dhe i zhdukte. Të gjitha faturat dhe dokumentet e shtëpisë i mori. Ajo kur vinte nuk flinte por kontrollonte dokumentet. I thërrisja o Eda hape derën, ‘ik, ik se do fle’. Ajo m’i vodhi që të gjitha dokumentet kryesore”, tha Zari.
Pas bërjes publike në shumë media shqiptare të këtij konflikti, këngëtarja Eda Zari bëri një letër të hapur nga ana e saj. Në atë letër këngëtarja bëri një analizë të gjatë mbi moralin e gazetarisë, por në asnjë moment nuk ka përgënjeshtruar akuzat e nënës së saj. Madje në esenë e saj ka ngritur shqetësimin që nëna e saj ka probleme me shëndetin mendor. “ Vallë, a i doli kush për zot nënës sime, kur sëmundjet e saj kërkonin dhe kërkojnë ende mijëra euro për t’u kuruar jashtë vendit, sepse sistemi shëndetësor në Shqipëri nuk ofronte dhe ende nuk ofron asnjë mjekim bashkëkohor anti-tumoral, asnjë terapi për pre-Alzheimer apo Alzheimer të avancuar, por ofron higjienë zero, pamundësi të mbulojë kostot përmes sigurimit të shëndetit dhe metoda mjekimi kasapçe, ku literalisht çnjerëzorja dhe dhuna janë martuar prej kohësh?”shkruan Eda Zari.
Po a është vërtetë e sëmurë Zhane Zari?
“Mua më vjen keq që ajo është fëmija im, e para. E dyta, që të bëj një vajzë dhe ta bëjë mamanë e saj me sklerozë, apo me një sëmundje tjetër…Unë kam raport nga mjeku që jam kontrolluar që unë jam në rregull. Ajo le të kontrollohet një herë për vete”, shprehet ajo. Report tv ka siguruar një kopje të raportit mjekësor, të lëshuar në emër të Zhane Zari, e cila rezulton pa probleme të shëndetit mendor. Për cilat prona e akuzon nëna e saj Eda Zarin se ia ka rrëmbyer me manipulim? Sipas deklarimit të nënës për Report TV këngëtarja ka përvetësuar në mënyra të ndryshme shtëpinë prindërore në Tiranë, një shtëpi pushimi në Durrës si dhe përvetëson periodikisht qiranë e një dyqani në Tiranë duke e lënë të ëmën pa të ardhura dhe në rrezik të dalë në mes të katër rrugëve.
“Shtëpia e Durrësit ishte e para. Më mori çelësat e shtëpisë, më mori më hoqi të gjitha bravat. Edhe te kjo shtëpi që kam ardhur tani ka hequr 3 brava. Edhe tani që erdhi atë kërkonte të bënte, donte të hapte dyert. Unë të ardhurat që kisha nga dyqani ku shisja plaçka që i merrja në Gjermani. Të ardhurat që merrja mi dërgonte vajza e madhe Jeni i plotësoja dhe ia jepja muaj për muaj atij burrit që të jepte dokumentet e pronës. Hapa gjyqin dhe na ra një avokate, ajo bënte sikur bënte gjyq se ndoshta kishte rënë dakord me atë. Shkonim në gjyq ne, fliste derisa ngeli shtatzënë dhe iku e na la pezull, as mish as peshk. I thashë ja ku është dokumenti, është emri i burrit dhe firma e tij ja dhe lekët që kemi paguar ne. Ata e dinë, ata janë bërë komplot. Edhe ai burri që na ka dhënë shtëpinë edhe avokati. Noteri u bë si i çmendur kur i thashë me ç’të drejtë ti i ke dhënë shtëpinë filanes, me çfarë dokumentesh, ‘ik tha përjashta!”, rrëfen Zhane Zari.
Apeli
Edhe pse në moshë të thyer dhe me probleme serioze të shëndetit, nëna i bën të bijës një thirrje publike, ndërsa ne të Report Tv jemi kurdoherë të hapur të dëgjojmë dhe qëndrimin e këngëtares së njohur mbi këtë konflikt të rëndë familjar.
“Nëse asaj i ka ardhur mendja në vend duhet të më sjellë të gjithë dokumentet dhe të gjitha gjërat që ka bërë të bëhen sipas rregullit. Ajo që i takon asaj ta marrë, por edhe unë se më ka lënë edhe mua pa bukën e gojës”, tregon Zhane Zari.