LSI mbylli fushaten elektorale sot pasdite në Berat. Në fjalën e tij, Presidenti i zgjedhur ka vijuar sulmet ndaj kryeministrit Rama. Meta tha se cirku i rilindjes përfundoi dhe se këto katër vjet nuk pamë sesi bëhet shteti, por sesi bëhet qameti. Deklaratat e Metës janë të çuditshme, pasi ai ka qenë vetë pjesë e qeverisë këto 4 vjet.
“Kot i mban shpresat te bluja kryetari i mavisë, qofte te Lulushi, qofte te policia. S’i bën derman as marrëveshja e errësirës me “Lulushin” as policia te cilës i bëri thirrje pak ditë më parë të bëjnë fushatë për votat për PS. Vettingu do të shporrë bandat e rilindjes. Taksat e shqiptarëve nuk do të bëhen më rrush dhe palma. Cirku i rilindjes mbaroi. Gjatë këtyre katër viteve nuk pamë sesi bëhet shteti, por pamë sesi bëhet qameti. Pamë sesi përdoret policia, presioni, shantazhi, dhuna ndaj të vobektëve. Kemi parë sesi bëhen akte ligjore që oligarkët të fshijnë malet e borxheve ndaj OSHEE dhe tatimeve. Lideri i mavisë është i tmerruar nga fakti se Berati është dhe do të jetë i kuq”, tha Meta.
Meta sulmoi edhe policinë e shtetitdhe përdori një gjuhë fyese ndaj Ramës.
“Thirrini mendjes. Mos merrni urdhra nga një njeri që jo policia, por as mjekësia nuk i bën dërman. Nuk do ketë mëshirë për asnjë që i bën presion qytetarëve tha Meta”, tha Meta.
Meta tha se Rama zgjodhi vendin e gabuar për të sulmuar LSI dhe se veprimi i tij nxit përçarjen e së majtës.
“Më 25 qershor të shkarkojmë kreun e rilindjes që të mos lejojmë braktisjen e Shqipërisë. Kreu i rilindjes zgjodhi vendin më të gabuar për të sulmuar pabesisht LSI dhe për të provokuar përçarjen e të majtës”, tha Meta.
a.ç