Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur për deklaratën e presidentit të zgjedhur, Ilir Meta se nëse nuk arrestohen dhunuesit e përkrahësve të LSI gjatë fushatës do armatosë popullin. Basha e konsideroi të papërgjegjshme deklaratën e Metës, ndërsa tha se pushteti nuk merret as me dhunë, as me kërcënime.
Eni Vasili: Ditët e fundit janë vërejtur disa incidente dhe sulme ndaj përfaqësuesve të LSI. Keni një koment?
Basha: Pushteti nuk merret as me dhunë, as me kërcënime. E dënoj dhunën. U uroj shërim të shpejtë të plagosurve. Dhe u bëj thirrje qytetarëve që t’i largohen republikës së vjetër dhe të kthejnë sytë nga vetja e tyre dhe nga numri 6.
Eni Vasili: Çfarë mendoni për deklaratën e Metës që nëse nuk arrestohen keqbërësit, ai do armatosë popullin?
Basha: Mendoj se është një deklaratë e papërgjegjshme, pasi në asnjë rast nuk mund të zëvendësohet alternativa e shtetit ligjor me alternativa të tjera. Vendi është, koha është që ne të zbatojmë ligjin. Mendoj se është një deklaratë e papërgjegjshme, si ajo e Edi Ramës që i bën thirrje policisë për të bërë fushatë elektorale. Ata janë në një panik të përligjur, pasi këto janë 4 ditët e fundit të republikës së vjetër dhe njerëzit po bashkohen për republikën e re.