Nga Lorenc Vangjeli/
Përfundimisht, në javën e fundit të saj, fushata e kësaj rradhe demonstrohet mediokre. Dhe nëse kjo fjalë tingëllon e rëndë, përcaktimi se fushata është “tmerrësisht sipërfaqësore”, është ana tjetër e të njëjtës diagnozë.
Pak ditë përpara se të shkojnë tek kutia e votimit, shqiptarët janë më të paqartë se kurrë për ofertat politike. Nuk ka asnjë bilanc serioz për të djeshmen dhe asnjë krahasim apo ballafaqim premtimesh dhe realizimesh. Ka një alibi të përgjithshme për atë që presupozohet se ka shkuar keq dhe një premtim se do të qeverisen më mirë nesër nëse pushteti nuk shpërndahet, kontrollohet dhe ekuilibrohet, por përqëndrohet në një timon të vetëm.
Shqiptarët janë më të paqartë se kurrë edhe sesi do të qeverisen nesër.
Duke nisur me koalicionet. PS-PD? PS-LSI? LSI-PD? Do të jetë Rama kryeministër i tërëfuqishëm apo do të shkojë i vetëm në shtëpi? Do të kushtëzojë LSI-ja qeverisjen apo do të provojë opozitën që ka muaj që ka nisur ta bëjë më mirë se opozita zyrtare? Do të thuhet si shprehje e re në politikë: Paç fatin e Lulit apo basha do të lerë edhe partinë? Të gjitha skemat janë të hapura.
Kryeministri pretendon 71 mandate. Disa sondazhe ja japin këtë shifër, por kritikët dhe skeptikët ndaj këtyre shifrave dhe shifra krejt të tjera që janë në qarkullim gjysëm “ilegalisht”, e ulin shumë më poshtë stekën e socialistëve. Për të pasur një mandat të dytë ata duhet të kenë koalicion me LSI-në, që konfirmon vijimësinë ose me PD-në, që do të përbënte çudinë.
Qoftë në versionin e parë, qoftë të dytin, situatat ose kanë shkuar shumë larg, ose kanë qenë për gati tre dekada tërësisht larg për t’u bërë bashkë nga një projekt kontravers Rama-Basha. Por në politikë, njëlloj si në dashuri nuk ka asgjë të pamundur. Dhe një përqafim mes Ramës dhe Bashës mund të jetë një “déjà vu” në Shqipëri, njëlloj siç ka pasur stinë të tilla mes Nanos dhe Berishës, mes Berishës dhe Metës, mes Metës dhe Ramës. Stinë përgjithësisht të shkurtëra, por intesive; paqe e cila e bënte luftën që vijonte më pas edhe më të egër.
Rama “risolli në modë” Shekspirin kur e krahasoi marrëdhënien e tij me kryetarin e PD-së të ngjashme me Romeon dhe Zhulietën. Ai, Romeo që rri lart; Basha, ajo, Zhuljeta që rrinte poshtë, e lutur pafund nga Romeoja që të ngjitej gjithashtu lart në zyrën me flutura. Njëri lart e tjetri poshtë, në pozicionin që çifti i famshëm i Mesjetës nuk mundi ta konsumojë dot, por që çifti i Tiranës e realizoi me bashkëqeverisje në fund të madatit qeverisës. Edhe pse personazhet e Shekspirit kanë gjithmonë fund të hidhur.
Meta ka nxjerrë Vasilin në pritje. Miqësitë e varrosura në armiqësi ndodh që rikthehen sërish dhe miqësia e tij me Bashën është një fakt që e di shumëkush në Tiranë. Të dy ata mund të afrohen për shkak të largësisë që Meta po llogarit mes tij dhe Ramës.
Shpesh ka nisur të përmendet një tjetër tragjedi e Shekspirit. Një baba i dëshpëruar nga zgjedhja e të bijës, kur i thanë se ajo po bënte “kafshën me dy kurrize” me Otellon, paralajmëron ushtarakun trim: “Kujdes Arap, kush gënjen t’anë, gënjen dhe jaranë!”. Basha e ka bërë më shumë se njëherë me Berishën, atin e tij politik. Nuk ka asnjë problem që të njëjtën gjë që ka bërë edhe me Metën dikur, në kohën e dashurisë së tyre të vjetër, ta bëjë edhe me Ramën në këtë kohë dashurie të re bashkëqeverisëse.
Rama nuk është Romeo sepse, si një politikan i mirëfilltë nuk dashuron pa interes dhe si një politikan jetëgjatë në Tiranë, nuk është besnik as i fjalës dhe as i premtimit. Edhe fjala, edhe premtimi kanë vlerë vetëm kur është përpara lumit që duhet të kalojë. Ai nuk është as Otello sepse nuk ka vendosmërinë për të hyrë në luftë si Arapi i Venedikut. Në këtë betejë të jetës në qershorin e sivjetshëm të Tiranës, Rama do të ishte kushdo që nesër do t’ja kërkonin shifrat elektorale. Po kështu dhe miqarmiqtë e tij. Kjo është një nga arsyet se pse kjo është beteja më sipërfaqësore për zemrën e shqiptarëve. Një provë për këtë? Prej orësh e orësh publiku po sheh sesi një veprim naiv i një kandidati për deputet, po bën xhiron e rrjetit me komente nga më të ndryshmet. Zarfi i futur në xhepin e viktimës nga një dhunë e presupozuar politike, nga kundërshtarët e tyre është parë si para’ që blen, lek që korrupton apo euro që investon. Dhe kaq! Sepse kaq është sipërfaqja që afrojnë të shihet dhe dy djem të mençur socialistë, si Saimiri dhe Erioni. Dhe askush, edhe Tahiri, edhe Braçe, cinik njëri dhe cinik tjetri, nuk flasin për dhembjen e viktimës e solidaritetin me të, për agresorët e ikur në drejtim të paditur dhe dënimin moral, politik dhe verbal të çdo gjesti dhune të frymëzuar nga kushdo dhe drejtuar ndaj kujtdo.
Dikur, qoftë njëri dhe qoftë tjetri kanë prodhuar dhunën dhe statusin e viktimës për politikë. Ditëziu i Lezhës as nuk e ëndërron të ketë një fat si ata, por me siguri i dhemb më shumë kur sheh se dy “kolegët” e tij, të dy bashkë ngrenë një gisht akuze për të fshehur pas tij hurin që rreh. Atë hu që në fakt i rreh të gjithë që nga momenti kur godet qoftë dhe një shqiptar të vetëm. Ka një rregull që ndryshon pak në politikën sipërfaqësore që bëhet në Tiranë: kur gishti tregon hurin, druri sheh gjithmonë nga e hëna dhe jo nga Hëna.