Ministrja teknike Xhulieta Kërtusha ka kërkuar shkarkimin e Ilir Bajlos, drejtori rajonal i Sigurimeve Shoqërore në Korçë, pasi sipas saj, nuk ka marrë masat e duhura që burimet njerëzore dhe strukturat në varësi të mospërfshihen në fushatë gjatë orarit të punës.
Ministrja thotë se Bajlo, në kundërshtim me urdhrin e saj, nuk e ka shkarkuar nga detyra Luiza Qipon, me detyrë përgjegjëse në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Ersekë, edhe pse ka fakte që provojnë se ajo ka marrë pjesë në fushatë gjatë orarit zyrtar.
Ditën e diel, Kërtusha konstatoi gjithashtu se Saimir Plaku, drejtori i Zyrës së Punës në Kuçovë, i pezulluar me urdhër të ministres pasi kandidon për PS-në, vazhdon të përdorë zyrat e shtetit në funksion të fushatës.
Edhe ministrja teknike e Arsimit ka kërkuar pezullimin nga puna të Ornela Kolekës, drejtore e sektorit të Teknologjisë dhe Komunikimit në MAS, pasi sipas Karabinos, nuk garanton mbarëvajtjen e sistemeve të sigurisë dhe të të dhënave të institucionit./a.m.