Është gjendur i braktisur në rrugën dytësore Fushë-Krujë-Milot furgoni që u grabit në kantinën e verës ‘Gjergj Kastrioti’.
‘BalkanWeb’ mëson se mjeti është gjetur në rrugën që të çon në fshatin Derven, i braktisur nga autorët e grabitjes. Në vendin e ngjarjes, aktualisht ndodhen specialistë të policisë së Durrësit, ndërsa ata po marrin gjurmët për të identifikuar 3 personat që morën pjesë në grabitje.
GRABITJA
Tre persona të maskuar grabitën në orët e para të mëngjesit të sotëm në Rrashbull kantinën së verës “Gjergj Kastrioti”, dhe pasi kanë lidhur rojën e objektit, kanë marrë një kasafortë që ndodhej në një nga zyrat e firmës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00,në zonën e Rrashbullit. Por grabitësit nuk janë mjaftuar me kasafortën, por kanë marrë edhe mjetin e Kantinës, furgon tip “Benz” me targa DR 3538 D, dhe më pas janë larguar. Me të marrë njoftim menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivet e Policisë, të cilët po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
NJOFTMI I POLICISE
Gjendet furgoni i vjedhur mëngjesin e sotëm tek Kantina e Verës.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Efektivet e Policisë së Qarkut Durrës, në vijim të hetimeve të kryera, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mëngjesin e sotëm tek Kantina e Verës, nga kontrollet e ushtruara në terren, në fshatin Derven, Fushë-Krujë është bërë e mundur gjetja e mjetit të vjedhur, furgon tip Benz me targa DR 3538 D. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.