LSI prej kohësh është përpjekur të krijojë imazhin e një force politike që përkrah grupmoshat e reja.
Përtej këtij imazhi, e vërteta është se kjo forcë ka listën më të plakur, të moshës mesatare të kandidatëve të saj, të vendosura në vende pothuajse të sigurta në këto zgjedhje.
Duke analizuar të dhënat e sondazhit “Piepoli” në shtatë qarqet kryesore të vendit, LSI ka të sigurtë 6 deputetë, ndërsa bazuar në të dhënat historike, mund të arrijë të sigurojë edhe tre deputetë të tjerë në tre qarqe që nuk ishin pjesë e sondazhit.
Mosha mesatare e të nëntë kandidatëve që kanë shanse të mira për t’u zgjedhur, në fakt është plot 47 vjeç, e nëse nuk do të ishte për dy kandidatet e reja në moshë në Tiranë, ajo do të tejkalonte ndjeshëm 50 vitet.
Sipas sondazheve, LSI ka pothuajse të sigurt një deputet në Durrës, që në këtë rast do të ishte 53-vjeçari Lefter Koka.
Në Elbasan, pothuajse e sigurtë është Zonja e Parë, Monika Kryemadhi, 44-vjeçare. Në Korçë, lista kryesohet nga 58-vjeçari Panariti, ndërsa në Shkodër nga biznesmeni 48-vjeçar, Agron Çela. Shanse të mira për t’u zhjedhur, bazuar në të dhënat historike ka edhe Nasip Naço në Berat (57 vjeç), Viktor Tushaj në Lezhë (55 vjeç) dhe Vangjel Tavo në Gjirokastër (48 vjeç).
E vetmja që ul pak moshën mesatare është Tirana, ku sipas “Piepoli”-t LSI siguron dy deputetë, Klajda Gjosha, 34 vjeç dhe Kejdi Mehmetaj, 24.
Kandidatë të tjerë me shanse për t’u zgjedhur
Po sipas sondazhit të “Piepoli”-t, janë edhe disa kandidatë të tjerë të LSI që kanë shanse për t’u zgjedhur dhe ajo që bie në sy, është që përsëri pothuajse të gjithë, janë mbi 45-50 vjeç.
Në Fier, dy kandidatët e parë të LSI në Listë, Petrit Vasili dhe Robert Bitri janë të dy 60-vjeçarë. Në Vlorë, Shezai Rokaj ka hyrë në vitin e 61-të, ndërsa Sokol Dervishaj është 48 vjeç.
Në Durrës, e dyta është Nora Malaj, 53 vjeç e ndjekur nga Flamur Gjuzi, 46 vjeç. Në Elbasan, sipas sondazhit shanse sado të vogla ka Haxhinasto, 51 vjeç, ashtu si edhe Piro Kapurani në Korçë, 50 vjeç. Shkodra ka Dritan Hyllin, 40 vjeç.
Edhe në këtë rast, vetëm Tirana është në gjendje të ulë pak moshën mesatare, përmes Endrit Braimllarit, 31 dhe Floida Kërpaçit, 23./lexo.al
a.ç