Partia Socialiste ka qenë gjithmonë në avantazh të ndjeshëm ndaj demokratëve në Qarkun Elbasan, por një grusht i vogël votash të munguara duket se i dha një numër të barabartë mandatesh më 2009, ndërsa më 2013, votat e Socialistëve i bënë më shumë nder LSI-së se sa vetë socialistëve.
Nga Gjergj Erebara
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike u ndanë barabartë me numër mandatesh në zgjedhjet e vitit 2009 në Elbasan, pavarësisht se PS dhe aleatët e saj të vegjël siguruan rreth 5 mijë vota më shumë. LSI, e cila mori 7,700 vota në Elbasan ose 5 për qind, mori asnjë mandat.
Në zgjedhjet e vitit 2013, LSI bëri ndryshimin në Elbasan duke arritur të marrë 18 mijë vota ose gati 11 për qind të totalit dhe duke siguruar dy mandate. PD i ndau votat me aleatët e vet në ato zgjedhje, Partia Republikane dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, duke marrë më vete 4 mandate deputetësh dhe duke i lënë PR-së dhe PDIU-së nga një mandat secila. Në total, PS dhe LSI morën 8 mandate ndërsa PD me aleatët e vet zbritën në gjashtë. Vetë Partia Socialiste, megjithëse mori 43 për qind të votave, zbriti nga 7 në 6 deputetë.
Në rast se partitë do të kishin garuar më vete më 2013 në Elbasan, atëherë PS do të kishte marrë më shumë deputetë nga sa mori ndërsa LSI-së mund të mos i kishin mjaftuar votat për një mandat të dytë. Por ndërkohë situata ka ndryshuar shumë në panoramën politike përgjatë katër viteve të fundit dhe gara në Elbasan pritet të jetë një nga më të ashprat në këto zgjedhje.
PDIU, e cila mori 12 mijë vota në këtë qark në zgjedhjet e vitit 2013 për mandatin e deputetit Aqif Rakipi, [CV Link], i cili garon sërish për këtë parti, por pasi partia e tij ka dalë nga koalicioni i djathtë i vitit 2013 dhe ka bashkëqeverisur me socialistët përgjatë viteve të fundit. Rakipi, një biznesmen me aktivitet “kryesisht në fushën e shfrytëzimit të burimeve natyrore”, sipas CV-së së tij, është njëkohësisht nga të paktët deputetë që pranon se është me shkollë të mesme.
LSI, të cilës mund t’i duhen edhe disa mijëra vota më shumë se sa më 2013 për të ruajtur bilancin me dy mandate në Elbasan, garon kësaj here në këtë qark me nënkryetaren e vet Monika Kryemadhi [CV Link] dhe me ish-ministrin Edmond Haxhinasto [CV Link] në vend të dytë.
Masa e suksesit të këtyre dy partive do të përcaktojë edhe raportin e forcave mes dy partive të mëdha.
Nga krahu tjetër, Partia Republikane, e cila më 2013 mori brenda koalicionit të djathtë afro 6,300 vota, kësaj here pritet të kërkojë vota për Partinë Demokratike ndërsa PDIU nuk dihet nëse do të mund t’i mbajë votat që arriti të marrë më 2013 si pjesë e koalicionit të djathtë.
Partia Socialiste ka pozicionuar në vend të gjashtë në listën e saj në Elbasan Luan Duzhën [CV Link], ish deputetin e LSI që kësaj here garon për PS. Dy kandidatët pasardhës janë Nuri Belba, aktualisht nënkryetar i Bashkisë Prrenjas me profesion ekonomist dhe Florenc Spaho, i cili sipas CV-së së tij është aktualisht student në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, ndërsa punon si infermier në Spitalin e Elbasanit. [CV Link]
Në pesë vendet fituese në listën e PS konkurrojnë deputetë aktualë si Taulant Balla, Elvis Kushi, Musa Ulqini dhe Anastas Angjeli si dhe prefekti aktual i Elbasanit Arben Kamami. [Kliko mbi emër për të lexuar CV-të.
Partia Demokratike ka vendosur në postet e diskutueshme në listë gazetarin dhe opinionistin Fitim Zekthi në vend të gjashtë ndërsa në vend të pestë gjendet Arben Elezi, ish-mësues dhe ish-punonjës i tatimeve. Në vend të shtatë garon Nada Tapija, pedagoge ekonomie me gradë shkencore dhe që ka shërbyer si dekane e zëvendësdekane.
Gara për Elbasanin në vitin 2017 pritet të jetë edhe më e fortë për shkak se numri i lartë i deputetëve që do të dalin nga ky qark ka bërë që edhe PDIU e LSI të luftojnë për mandate.