Irani ka lëshuar raketa në drejtim të Sirisë Lindore të dielën, duke goditur bazat e grupeve militante, që ai i konsideron përgjegjëse për sulmet në Teheran javën e kaluar, që i morën jetën 18 personave.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, Gardat Revolucionare të Iranit kanë lëshuar raketat tokë-tokë me rreze të mesme veprimi nga Irani Perëndimor, në drejtim të rajonit të Deir Al Zurit në Sirinë Lindore, transmeton Gazeta Express.
“Një numër i madh” i terroristëve janë vrarë, dhe një sasi e konsiderueshme e pajisjeve dhe armëve të tyre janë shkatërruar, ka bërë të ditur Tasnim.
Raketat kanë goditur “shtabet dhe qendrat e grumbullimit të terroristëve”, kryesisht pjesëtarë të të ashtuquajturit Shteti Islamik (ISIS).
Gardat Revolucionare të Iranit luftojnë në Siri kundër grupeve militante, që kundërshtojnë presidentin Bashar Al-Assad. (b.an)