Prokuroria zgjeron hetimet për rastin e vrasjes së Ervin Dalipajt e Juxhin Dautaj në autostradën Tiranë- Durrës.
DËSHMIA
Zyrtari i policisë ka thënë se “nuk mund t’ia vinte gishtin” askujt, pasi të dy personat që mbetën të vrarë në atentat, Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dautaj, kishin probleme të shumta të tyre që mund të ishin bërë shkak i ngjarjes. Më pas prokuroria ka pyetur edhe disa persona të tjerë, të afërm të viktimave apo shokë të tyre,
me të cilët shoqëroheshin, por pa arritur ndonjë rezultat konkret në lidhje me zbardhjen e autorësisë së vrasjes, e cila mbetet ende mister. Edhe pse ishte më kërkim ditën e ngjarjes, Ervin Dalipaj kishte qëndruar në Tiranë në zonën e “Ali Demit” nga ku janë nisur për në Durrës bashkë me Juxhin Dautin, ku edhe u ekzekutuan pranë një servisi makinash në zonën e Sukthit.
Dalipaj e Dauti lëviznin me një makinë tip “Audi” të marrë me qira, pronari i së cilës po kërkohet për t’u pyetur nga prokuroria, por që ka rezultuar se është jashtë Shqipërisë. Gjatë ditëve të fundit nga grupi i hetimit janë kryer disa kontrolle banese në Shijak dhe Sukth, ku janë gjetur armë e sende të tjera të paligjshme, por asnjë provë apo autor në lidhje me atentatin e mbetur mister.
Ekspertët e grupit të hetimit kanë rindërtuar skemën dhe dinamikën e ngjarjes nga ku rezulton se autorët e krimit kanë qëlluar kundrejt dy të rinjve nga një distancë të e afërt, rreth 5-6 metra, duke derdhur mbi ta 32 plumba kallashnikovi 7.62 mm. Objektivi kryesor i vrasësve dyshohet se ka qenë Ervin Dalipaj, 39 vjeç, ish-shef i Antikrimit Ekonomik të Policisë në Tiranë./a.ç