Juristi i OSHEE, Romeo Kara, njeriu që zbërtheu prapaskenat privatizimit korruptiv të OSSH, me kosto 450 milionë euro, rrëfen detaje të tjera rreth lidhjeve të ish-drejtuesve të CEZ dhe njerëzve pranë pushtetit të Sali Berishës.
Gjatë një interviste për Shqiptarja.com, Kara thotë ish-drejtori i CEZ-SHPERNDARJE, Jozef Hejsek banonte në shtëpinë e Berishës së vogël, kur punonte në Tiranë. Romeo Kara pohon gjithashtu se pas denoncimit të aferës, në adresë të tij kanë ardhur kërcënime.
Ai thotë se jeta e tij dhe e familjes janë në rrezik. Kara deklaron se fotografia e tij është gjetur në qelinë e burgut 302, duke hedhur dyshime për një plan të mundshëm eliminimi, me porosi. Po ashtu, dëshmitari kyç i çështjes CEZ thotë se kohë më parë bashkëshortja dhe vajza e tij kanë pësuar një aksident, duke hedhur dyshime për aksident të qëllimesh. Romeo Kara thekson se ka njoftuar përfaqësitë diplomatike dhe organet ligjzbatuese, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë.
-Në ç’fazë është beteja juaj gjyqësore me Shkëlzen Berishën dhe cilat janë provat që keni paraqitur për të mbështetur akuzat e artikuluara për lidhjet e tij me çështjen CEZ?
Jam prej disa muajsh jam në një proces gjyqësor me të birin e Sali Berishës, të iniciuar prej tij me akuzën e shpifjes. Në pamundësi për të më frenuar sado pak, në lidhje me qëndrimin tim, karshi procesit të korruptuar të privatizimit të OSSH-se, ku është përfshirë Sali Berisha, klani familjar vendosi të më vendosë përballë këtij presioni gjyqësor si dhe të tjera përveç këtij. Nga nxitimi për t’u hakmarrë, pasi unë nuk kam ndërmend të ndaloj në rrugën time, ata hartuan një padi mjerane për shpifje, ku në kundërshtim me ligjin, kërkojnë burgosjen time. Pra, sipas tyre duhet të shkoj në burg unë që zbuloj vjedhjet e tyre dhe ata nuk duhet të shqetësohen kur unë them të vërtetat e këtij procesi privatizimi. Akuzat e tyre për shpifje janë të pa mbështetura në prova dhe të bëra rëndom ashtu siç kanë akuzuar për shpifje çdo gazetar apo person që përballet me ta. Klani Berisha ka që prej muajit Nëntor 2016 që e ka qepur gojën në lidhje me akuzat e mija publike dhe në parlament. Ato janë akuza të renda dhe evidente, dhe të akuzuarit si Berisha nuk mund të fshihen pas heshtjes sikur po fshihen pas gishtit. Po kështu ata nuk mund të zhvlerësojnë akuzat e mija me padi qesharake që kanë vetëm një mbështetje, atë të gjykatësve shërbëtorë të klanit familjar. Unë kam akuzuar drejtpërsëdrejti Saliun, por padinë për shpifje e bën i biri. I biri mendon se është aq i pastër sa mund ta mbrojë deri diku të atin. Kam deklaruar që ne duhet të përqendrohemi tek Berisha i vjetër, pasi ai është plotësisht i përfshirë në këtë proces, ndërsa i biri nuk rezulton i përfshire me letra. Megjithatë lidhjet e të birit me CEZ-in janë të njohura. Duhet gjetur dhe pyetur Nuel Kalaj, të cilin klani e ka nxjerrë në ilegalitet. Ka e-mail që flet për lidhjet Nuel-Shkëlzen-Sali-CEZ. Po kështu është i njohur fakti që ish drejtori i CEZ-SHPERNDARJE, Jozef Hejsek banonte në shtëpinë e Berishës së vogël, kur punonte në Tiranë. Duhet pyetur mirë ky administrator çek, për të mësuar të vërtetën.
-Pse kërkuat përjashtimin e gjyqtarit që po shqyrton çështjen?
Me këto gjykata është e pamundur të vazhdohet. Ato janë pjesë integrale e klanit kriminal Berisha. Dje një gjyqtar qesharak, me origjine tropojan, pa ju hedhur fare sytë provave të ofruara nga unë, rrëzoi kërkesën time për përjashtimin e gjyqtarit të çështjes me të birin e Berishës, i cili rezulton i lidhur familjarisht me klanin. Familjarë të këtij gjyqtari kanë qenë të lidhur në biznes me Argita Berishën, Ismail Mulletin etj. Tani procesi me të birin e Berishës është kthyer totalisht në një proces fars dhe qesharak. Unë e kam parashikuar dhe paralajmëruar këtë situatë që para disa muajsh. Lëvizjet e klanit janë lehtësisht të lexueshme.
-Kohë më parë keni deklaruar se jeni kërcënuar, duke shprehur pasiguri për familjen tuaj, për shkak se ju u shndërruat në dëshmitarin kyç të një prej abuzimeve më të mëdha në historinë e pluralizmit shqiptar. A ndiheni i rrezikuar? A janë marrë masa nga organet ligjzbatuese për mbrojtjen e familjes tuaj?
Kërcënimet kanë filluar që me çështjen DIA ku janë përfshirë edhe aty një numër pushtetarësh. Dëshmia e Jozef Hejsek flet qartë për përfshirje kryeministrash, ambasadorësh dhe kryetarë të ERE-s. Jam zbuluesi i asaj afere ku shteti shqiptar rrezikonte të humbte rreth 170 milionë euro. E kam denoncuar atë aferë, kam përgatitur së bashku me stafin tim mbrojtjen dhe strategjinë e saj në procesin e arbitrazhit në Vjenë, si dhe kam dhënë dëshminë kryesore ndaj keqbërësit Kastriot Ismailaj. Kumbari i marrëveshjes DIA-CEZ, ish ambasadori Qazim Tepshi nuk jeton më. Vdiq pikërisht në momentin kur kjo çështje u hap në media. Që në fillim kam kërkuar mbrojtje për familjen. Edhe pse mbrojta interesa të mëdha të vendit, ku praktikisht rrezikohej i gjithë sistemi energjetik, familja ime kurrë nuk u mor nën mbrojtje. Individë dashamirës nga policia dhe gazetarë investigativë më kanë njoftuar se brenda një qelie në burgun 302 janë gjetur foto të mija. Shpresoj të kem dalë mirë në ato foto, por zakonisht të burgosurit mbajnë foto femrash dhe jo meshkujsh. Nëse janë të orientuar ndryshe, më mirë të mbajnë fotot e Zenit. Pas dëshmisë kundër Berishës në parlament, në Nëntor 2016, është aksidentuar me makinë gruaja dhe vajza ime e vogël. Ka nisur një proces, por nuk kam ndonjë njoftim nëse ishte aksident apo i qëllimshëm. Po kështu, nëpërmjet gojës së deputetes 4XL u publikua aktakuza ime. Unë paskam pasur dy herë tentativa vetëvrasëse sipas Saliut, kështu që nuk është çudi që ndonjë ditë apo natë të vras veten. Kur dorëzova kallëzimin penal për Saliun dhe bandën e tij, erdhi reagimi: Saliu me prokurorët e tij çuan direkt në gjykatë një dosje të falsifikuar prej tyre medemek për dhunë në familje si dhe kërcënuan djemtë e mi. Kam njoftuar aty ku duhet të njoftoj si dhe ambasadorët e USA dhe të Evropës. U premtua një shërbim shtesë mbrojtës, por asnjë shtesë nuk u duk në horizont. Ky është realiteti.
-Pas marrëveshjes PS-PD nuk po flitet më për çështjen CEZ. Cili është komenti juaj?
Pas dëshmisë time në parlament është realitet se Berisha, ky akuzues dikur për korrupsion dhe për çështjen e CEZ-it, humbi nga qarkullimi. Edhe vetë PD u tkurr se po paguante në opinion haraçet e Berishës dhe të familjes. Shumë militantë të PD patën shijen e keqe kur panë milionat e marra nga Nuel Kalaj. Është faktuar se, vetëm në periudhën janar 2008-qershor 2009 Nuel Kalaj ka marrë rreth 7 milionë euro. Berisha u tërbua dhe po kërkonte fajtorët brenda PD. Po kërkonte të gjente se kush e ngacmoi çështjen CEZ. Kur i thanë se ishe vete, atëherë u fut në strofull. PD si pasojë e zbardhjes se kësaj afere ishte totalisht e menderosur dhe karta e antikorrupsionit që po përdorte prej tre vitesh ju bë totalisht e pavlefshme. Si zgjidhje u gjet çadra. Çadra u ngrit pikërisht pak përpara se të mbaronte mandatin komisioni ‘Balla’. Çadra ishte presion që komisioni ‘Balla’ të mos dilte me një raport për prokurorinë. Nën zë u fol se edhe komisioni ‘Spaho’ nuk do të dilte me një raport, duke e lënë këtë punë në barazim. Po kështu çadra kompensonte mungesën e kauzave politike të PD pikërisht pak përpara zgjedhjeve. Ajo ishte çadra e Saliut. Thuhet se u financua nga tropojanët e Saliut që kanë menaxhuar pikërisht CEZ-in. Shumë ironike: Të dalim nga belaja CEZ me paratë e CEZ. PS ishte e vetmja forcë politike e papërfshirë në maskarallëqet e CEZ, dhe për mua ishte e vetmja mbështetje e mundshme politike. Unë nuk jam personi i kauzave të tradhtuara apo të braktisura. Personat që tradhtojnë kauzat dhe devijojnë nga rruga e drejtësisë, nuk i duhen kurrkujt e aq më tepër këtij vendi. Nuk e di çfarë kanë thënë dhe premtuar njëri-tjetrit palët në marrëveshje, por që Berisha është më i qetë, këtë e di. Megjithatë kam besim të patundur se drejtësia për këtë çështje dhe të tjera do të vendoset. Duhet vetëm të luftojmë frikën e instaluar nga sistemi për vendin e punës, jetën etj. Kur të realizojmë këtë, frika do të kalojë në krahun e keqbërësve pushtetarë dhe drejtësia do të thotë fjalën e saj. Në rrugën time jam lidhur tek litari i Zotit, i kurrkujt tjetër, kështu që marrëveshjet politike nuk kanë efekt tek unë./Shqiptarja.com/
a.ç