Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, dhe kryeministri Edi Rama replikuan ashpër pas mbarimit të seancës së jashtëzakonshme të parlamentit, ku u votuan emrat e juristëve për komisionet e vetting-ut.
Debati nisi pasi Rama dhe Patozi u shkëmbyen në dalje të Kuvendit, ndërkohë që deputetët po linin sallën dhe shumë gazetarë ishin të pranishëm.
Disa minuta me parë kryeministri Rama i kishte përmendur emrin Patozit gjatë një shkëmbimi akuzash me deputeten e PD dhe ish-kryetaren e parlamentit, Jozefina Topalli. Deputeti i Partisë Demokratike i kërkoi menjëherë fjalën për replikë kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, por ky i fundit refuzoi t’ia jepte, ndonëse i kërkoi ndjesë atij.
Panorama mëson e Rama e pyeti Patozin, ndërsa po dilnin nga godina e parlamentit se çfarë kishte ndërmend të thoshte në replikë dhe kërkoi të bënte humor me debatin mes të dyve të disa javëve më parë në sallën e Kuvendit.
“Nuk besoj se do të merreshe prapë me veshjen dhe me bluzën time këtë radhë”, i tha atij Rama.
Por reagimi i Patozit nuk ka qenë aspak miqësor. “Po ta them këtu, që ta mbash mend, iu drejtua deputeti i PD kryeministrit.
Meqë e dije përpara se unë do ikja, tani po thua që e ditke edhe se kur do kthehem në parlament. është e vërtetë, se do të kthehem, por jo për llogaritë e tua dhe të dikujt tjetër. Pa dyshim që do më kesh përballë, po për arsyet e mia.
Dhe rri i qetë se nuk ta prish deri më 25 qershor marrëdhënien me atë tjetrin, për të cilin the se ndjehesh i lumtur.”
Më herët Rama kishte deklaruar gjatë replikës me Topallin se kishte një marrëdhënie të veçantë me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pa ia përmendur atij asnjëherë emrin.
DEBATI i kapur ne kamera
Patozi: Une nuk te kam nderhyre ne marredhenien qe ke me ate. Marredhenien qe ke ti me ate une nuk ta prish.
Rama: Ti do ikje qe 90 dite para. Çfare marredhenie…
Patozi: Ate marredhenien qe ke ti me ate.
Rama: O zotri e di kur ke ik ti….Ti ike pasi dhe ate intervisten te Topi.
Patozi: Po e di, por…
Rama: E pra, ma hedh mua fajin kot…
Patozi: Por puna eshte qe une s’kam ikur. Dhe ti e di qe nuk kam ikur, prandaj flet./Panorama