“Mungesa” e 500 tonëve kafe në bilancin e Doganave dhe dyshimet për kontrabandë kanë bërë që ministrja e Financave, Helga Vukaj të urdhërojë një hetim dhe kontroll të imtësishëm të tregut.
Burime nga Drejtoria e Doganave pohojnë për GSH.al se ministrja Vukaj ka urdhëruar hetimin, analizën dhe identifikimin e shkaqeve të rënies së importit të kafes gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti.
Sipas statistikave, gjatë periudhës janar-qershor të 2017 kanë zhdoganuar 500 tonë kafe më pak se e njëjta periudhë e viteve të tjera. Kjo ka sjellë një “gropë” në buxhet dhe arsyet e kësaj grope synon të zbardhë ministria e Financave.
GSH.al zbardh urdhrin e plotë të ministres Vukaj i cili ka mbërritur në drejtorinë e Doganave. Në këtë dokument kërkohet që të ushtrohet kontroll në të gjithë importuesit e kafes në vend. Gjithashtu, kërkohet që në bashkëpunim me hetimin Tatimor të identifikohet çdo sasi e importuar nga këto kompani dhe të kërkohet informacion edhe nga doganat e vendeve fqinje.