Ndonëse Ilir Meta është president i zgjedhur, ekziston një mekanizëm fare i lehtë Kushtetues, përmes të cilit Partia Socialiste dhe ajo Demokratike mund të vendosin të largojnë Metën nga detyra e Presidentit ende pa marrë detyrën.
Konkretisht, neni 88, pika dy e Kushtetutës parashikon se Presidenti fillon zyrtarisht detyrën e tij vetëm pasi bën betimin, 60 ditë pas zgjedhjes në këtë detyrë. Më tej, pika tre e të njëjtit nen përcakton formulën e betimit.
Konkretisht, Meta duhet të bëj betimin e tij përpara Parlamentit në datën 24 korrik. Megjithatë, nëse Partia Socialiste dhe ajo Demokratike vendosin të mos paraqiten në atë seancë, nuk ka asnjë mënyrë për Metën që ai të bëjë betimin dhe të marrë kështu funksionet e kreut të shtetit.
Në pamundësi për të bërë betimin, Presidenti humbet automatikisht funksionet dhe Parlamenti i ri do të ketë detyrën që të zgjedhë një President të ri.
Bërja realitet e një skenari të tillë, paradoksalisht duket se përkon edhe me dëshirat aktuale të Metës, i cili ndonëse që prej zgjedhjes president ka për detyrim të përfaqësojë unitetin kombëtar, ka vendosur që gjatë kësaj fushate të përfaqësojë vetëm interesat e LSI./Skandal.al