Lajmi se Bekim Fehmiu më 15 qershor 2010 bëri vetëvrasje në banesën e vet në Beograd, u prit me shumë pikëllim. Beli Bora nga “Mbledhësit e puplave”, nuk harrohet lehtë.
Aktronte shkëlqyeshëm, e dashuronte shumë Brankan, të cilën po ashtu e njihni, shkruan gazeta e Beogradit “Blic” duke përkujtuar shtatë vjetorin e vdekjes së tij, përgatiti Koha.net .
Edhe Cannes sivjet e përkujtoi Beli Boran kur në festivalin e filmit u shfaqën krijimet e Aleksandar Sasha Petroviqit . Bekim na la në qershor, e po në këtë muaj, më 1 qershor 1936, ai lindi në Sarajevë. Siç e cilëson kjo gazetë, Bekimi ishte artist jugosllav e serb me origjinë shqiptare. Ka qenë jugosllav krenar që asnjëherë s’e harroi origjinën e vet, thotë “Blic” .
U rrit në familje patriarkale. Nëna e artistit ishte shtëpiake e babai i tij gjithë jetën ia kushtoi arsimimi të popullit shqiptar. Për këtë arsye ai shpesh ishte në konflikt me autoritetet ndaj dhe familja Fehmiu duhej të shpërngulej, nga Gjakova në Sarajevë, pastaj në Shkodër e në Prizren ku u bë adresa e përhershme e saj.
Pas mbarimit të gjimnazit në vitin 1956, u regjistrua në Fakultetin e Artit Dramatik në Beograd në klasën e profesorit Mate Milosheviq.
Provimin pranues e kaloi me të parën, e zyrtarisht artist u bë në vitin 1960 kur i përfundoi studimet. Talenti e përcaktoi të merrej me aktrim e origjinaliteti e bëri të madh. Bekimi në vitet 60-ta të shekullit të shkuar u bë artist-yll. Së pari në Jugosllavi.
Roli në filmin “Ne ubij” (Mos vrit) 1961, shënohet si roli i tij i parë, e pesë vjet më pas luajti Halil-begun në “Roj” (Mizëria) . Për këtë rol u shpërblye në Festivalin e filmit jugosllav, në Pulë.
Një vit më vonë shkëlqeu në filmin “Mbledhësit e puplave”. Beli Bora është roli i tij më i theksuar. Bekimi ka luajtur në gjithë Europën. Më i njohur ka qenë në kinematografinë italiane. Ka bashkëpunuar me vite me regjisorin italian Dino de Laurentis, por edhe me regjisorë e emra të tjerët të njohur si John Huston, Olivier de Heviland, Ava Gardner, Dirck Bogard, Charles Aznavour . E priti edhe Holywood, por roli i tij në “Aventurierët” xhiruar më 1971, nuk prodhoi shumë kritika të mia. Megjithatë askush s’e kontestonte talentin tij. Më shumë u kritikuan kreatorët e këtij filmi që nuk ditën nga Bekimi të bënin yllin e botës.
Në filmat “Košava”(Furtuna), “Specijalno vaspitanje” (Edukimi special) ,”Crveni i crni”(I kuqi dhe i ziu) , “Disperatamente Giulia”, “Cuore e la spada, Il” (Mjaft Guilia, Zemra dhe Shpata II) karrierës së tij nuk i mungonte asgjë.
Veç talentit të madh, theksohej edhe bukuria e tij dhe për të thuhet të ketë qenë “artisti ynë më i bukur”, shkruan “blic”.
Për Bekim Fehmiun filmi kurrë nuk ishte mjaft. Megjithatë në vitin 1987 ai vendosi të pushojë së aktruari. Jo-ja e tij ishte protestë e zëshme kundër propagandës antishqiptare të asaj kohe.
Ku e shikoni Bekimin, pyeteni se cila femër ka mundur ta pushtonte. Po kështu pyeteni edhe kur e shikoni femrën që e përvetësoi artistin, Branka Petriq.
U njohën gjatë studimeve. As Branka e bukur e as Bekimi nuk hamendeshin se roli i tyre i bashkëshortëve në shfaqjen “Jaje” (Vezët) do të bëhej edhe ai i jetës. “…Kur erdhi nga ushtria, Bekimi në atë verë, bashkë me disa kolegë tanë, erdhi te njerezit e mi në Novi Vinodolski; e në Beograd u kthyem çift. Edhe para kësaj, derisa punonim në Jaje, Bekimi disa herë më pyeti në doja të bëhesha gruaja e tij. Nuk desha. .. Ishte shumë i ri … Bekimit i kujtohej se babai im e kishte pyetur një herë se ç’qëllim kishte ndaj meje. “Ndoshta do të ishte më mirë ta pyesni vajzën tuaj ç’qëllim ka ajo ndaj meje”, i ishte përgjigjur Bekimi babait, kishte rrëfyer Branka në vitin 2012. Ka luajtur Bekimi edhe me Ava Gardnerin, Shearly Mclane, Brigitte Bardot. Edhe Branka luajti shumë role. Për shkak të punës shpesh ishin të ndarë. “Incidente emotive”, nuk ka pasur kurrë, thotë Branka.
“Më bëhet se kemi qenë të dashuruar deri në vesh, madje edhe kur arritëm vitet e pleqërisë. Ajo që më duhet ta kujtoj, kur “anija” jonë tashmë pushonte në port, janë momentet kur Bekimi më thoshte: Rri ndanë rrugës, dua të të shoh”, thotë Branka.
Branka e Bekimi bënë dy djem Hedon dhe Uliks Fehmiun, i cili është artist i njohur. Jeton në SHBA me bashkëshorten artiste Snezhana Bogdanoviq dhe vajzën e tyre Niko. Bekimi vdiq pesë muaj pas sulmit qe pati në tru.
Lajmi për ikjen e tij ishte si tërmeti. Kolegët dhe bashkëpunëtorët pas vdekjes së tij folën: “Në atë kohë ai ishte yll i madh, unë isha askush, e ai pranoi të luante rolin kryesor pa para. Dhe luajti sikur ai të ishte megaprojekti më i madh i Hollyëoodit”, ka thënë regjisori Goran Markoviq.
Kritiku Milan Vlajçiq për “Blic” më 15 qershor 2010 deklaroi:
Iu qasa në varrimin e Luba Tadiqit, më përqafoi dhe më tha: “Ne njihemi”. I thashë e kam lexuar autobiografinë e tij dhe më ka fashinuar. Me modesti m’u përgjigj se nuk kishte pritur sukses aq të madh libri. Ka qenë artist me ndjeshmëri fantastike dhe me qëndrim të jashtëzakonshëm qytetar “. Atë ditë për Bekimin foli edhe Olivera Katarina e cila luajti me të në “Mbledhësit e puplave “. “Më vjen keq pse Bekimi është izoluar, pse është tërhequr më vete, e kjo që ndodhi tani më ka goditur tepër. Iku njeriu me talent shumë të madh”.
Olivera sivjet në Cannes, për nder të Bekimit e Bata Zhivojinoviqit ka kënduar “Xhelem, xhelem”. Bekim Fehmi ,ashtu si thonë djemtë e tij, ka jetuar si ka dashur dhe ka ikur si ka dashur. Trupi i tij është djegur në Varrezat e reja të Beogradi më 17 qershor 2010. Hiri i tij është derdhur në lumin Bistrica në Prizren.
“Më kujtohet se atë ditë,tek shkoja te floktari, u mendova: Pse sot, duke dalë, nuk më përqafoi ashtu si rëndom bënte, fuqishëm?”, e kujton Branka Petriq 15 qershorin e vitit 2010. (b.an)