Çdo minutë e harxhuar duke u marrë me LSI, është një minutë e humbur për të folur me njerëzit për planin që ka PS për të bërë shtet, drejtësi përmes zbatimit të vetingut, një administratë serioze, rritje ekonomike mbi 5% dhe ulje e papunësisë në shifër njëshifrore në katër vitet e ardhshme.
Ky është thelbi i një mesazhi që Edi Rama i ka nisur të gjithë deputetëve ditën e sotme.
Në këtë mesazh, Kryeministri i ka kërkuar 140 kandidatëve të tij që të “mos influencohen nga britmat e kërcënimet”, siç i vlerëson ai deklaratat e bëra nga forca politike me të cilën bashkëqeverisi për 4 vjet.
Në mesazhin e tij, Rama shkruan se sfida e socialistëve është të fitojnë zemrat e mendjet e njerëzve, për atë që kjo parti do të bëjë për vendin dhe jo të fitojnë luftën e gjelave që po bën LSI-ja, për hallet që i kanë rënë në kokë.
Të njëjtin reagim, por pa përmendur emra, kryesocialisti postoi një ditë më parë në Facebook: “Shqipëria s’ka nevojë për britma e kërcënime po për shtet, punë, mirëqenie. Ndaj mos flasim me vete e për vete, po me njerëzit e për njerëzit”. /b.d