Zv/Kryeministrija Ledina Mandija, në cilësinë e drejtueses së Task-Forcës i është drejtuar sot Ministrit të Transportit dhe të Infrastrukturës, Sokol Dervishaj të marrë masa të menjëhershme në lidhje me disa konstatime të verifikuara se në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave, me seli në Durrës janë lidhur kontrata pune në periudhën zgjedhore nga data 25 Maj deri në datën 12 Qershor.
Gjatë verifikimeve të grupit të kontrollit të ngarkuar nga zëvendëskryeministrja është konstatuar që pas datës 26 Maj 2017 janë firmosur 11 shkresa sipas të cilave rezulton që janë punësuar 20 shtetas.
Kodi Zgjedhor në nenin 77 pika 1, ka përcaktuar që periudha zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Gjithashtu, Kodi Zgjedhor në nenin 88 pika 3 ka përcaktuar qartë që gjatë fushatës zgjedhore ndalohet marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi, lëvizja dhe transferimi në detyrë në institucionet apo entet publike, me përjashtim të rasteve të përligjura.
“Për këtë arsye, zv. Kryeministrja i ka kërkuar ministrit Sokol Dervishi të marr masat për të bërë verifikimet e duhura dhe nxjerrjen e përgjegjësive disiplinore të çdo nëpunësi dhe për ta vënë në dijeni në mënyrë të menjëhershme për rezultatet e gjetura dhe masat e marra si dhe në rast se konstaton që kjo problematikë nuk do te ndiqet me përparësi, zyra e zëvendëskryeministres do t’i dërgojë materialet përkatëse pranë Prokurorisë së Përgjithshme” – thuhet në njoftim.
Po sot zyra e zv/Kryeministres ka marrë shqetësime nga punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhës që po ushtrohet trysni për të marrë pjesë në aktivitet elektoral që do të mbahet sot. Për këtë arsye, i është kërkuar ministrit Dervishi të bëjë menjëherë verifikimet e nevojshme dhe të marrë masa për parandalimin e këtij fenomeni të kundërligjshëm, si dhe të informojë zyrën e Zv/Kryeministres në një kohë sa më të shpejtë. /b.d