Dalin në dritë detaje të reja lidhur me ekzekutimin e ish- Drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku. Burime për ABC News, bëjnë me dije se vrasësi i dyshuar Mikel Shallari nuk ka qenë i vetëm gjatë kohës që ka qëlluar Cukun.
Burimet kanë thënë se Shallari ka qenë së bashku me kushëririn e tij, i cili është identifikuar dhe shpallur në kërkim nga policia. Identiteti itij , për arsye hetimi nuk bëhet i ditur. Artan Cuku u ekzekutua në 8 Prill 2017 në hyrje të pallatit të tij, në rrugën e “Kosovarëve” në Tiranë.
Për arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes së Artan Cukut, Policia tha zyrtarisht se janë përdorur të gjitha metodat speciale të hetimit, provat shkencore dhe informacionet operative.
Një ndër metodat e përdorura, e cila më pas ka shërbyer edhe për gjurmimin e tij, ka qenë një “kurth” i Policisë Rrugore, që e ka ndaluar dy javë para arrestimit.
Me pretendimin se ishte ndaluar për kryerjen e një testi alkooli, Policia në fakt ka arritur të përftojë një tjetër profil gjenetik, përmes pështymës në gypin e dragerit.
Kjo metodë u përdor për të mos pasur më asnjë dyshim se Mikel Shallari ishte personi që kishte hedhur rrobat pas vrasjes së Artan Cukut dhe personi që kishte qenë në burg në Zvicër, nga ku kishte mbërritur dosja ku ndodhej edhe ADN e tij.
Deri në këtë moment, Policia ende nuk kishte rënë në gjurmët e tij, pavarësisht provave të forta që kishte në dorë. Nga kjo kohë e deri në daljen e analizës së ADN-së, që ka zgjatur rreth 2 javë, Shallari është mbajtur nën vëzhgim në distancë nga agjentët e Policisë, derisa u arrit edhe arrestimi i tij.
ma.me