Vota në shkallë kombëtare
Sipas sondazhit, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin këtë javë Partia Socialiste do të fitonte 48% të votave. Në vendin e dytë qytetarët kanë zgjedhur Partinë Demokratike me 32% të votave, ndërsa e treta renditet Lëvizja Socialiste për Integrim me 13%.
Sondazhi i IPR Marketing rendit në vendin e katërt Partinë LIBRA me 3%, ndërsa më pas vjen Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet me 2.5% të votave. 54.7% e qytetarëve thonë se do të shkojnë të votojnë në zgjedhjet e 25 qershorit, 36.1 % kanë thënë se nuk do të shkojnë të votojnë, ndërsa 8.5 % janë të pavendosur. Numri i të intervistuarve në sondazhin e sotëm (14 qershor) është 2002, periudha 12-13 qeshor dhe marzhi i gabimit është +/- 3.3 %.
Koalicionet pas zgjedhore
Nëse asnjë nga forcat politike nuk do të arrinte të merrte vota për të formuar qeverinë 19.3% e qytetarëve kanë zgjedhur një koalicion mes PS dhe LSI për qeverisjen e ardhshme. Për një koalicion mes PS-PD kanë votuar 15%, PD-LSI 9.2%. Ndërkohë që për një bashkëqeverisje PS-PD-LSI kanë dhënë mbështetje vetëm 5.7%.
Qarku i Shkodrës
Qarku i Shkodrës mesa duket do të jetë në një garë shumë të ngushtë mes PS dhe PD, pasi sipas sondazhit të IPR Marketing dy forcat më të mëdha politike do të ndajnë nga 5 mandate secila. E përkthyer në përqindje, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do të marrin nga 41% secila. Lëvizja Socialsite për Integrim është votuar nga 7% e qytetarëve shkodranë, ose 1 mandat deputeti. Më pas vjen Partia LIBRA me 2.5%, PSD 2%, PBDNJ 1.5%, FRD 1% dhe PDIU 0.6%. Ky sondazh është realizuar duke intervistuar 1000 qytetarë.
Ka rënë numri i votuesve, është rritur numri i të pavendosurve
Sipas sondazhit 54.7% e popullsisë ka deklaruar se do të shkojë të votojë. Kjo shifër vjen në rënie në krahasim më dy sondazhet e para. Në 31 maj ishte 62.1%, në 7 qershor 59.7 %.
Ndërsa 36.1 % e qytetarëve kanë deklaruar se nuk do të shkojnë të votojnë në zgjedhjet e 25 qershorit.
Në krahasim me sondazhin e datës 7 qershor numri i qytetarëve që nuk do të shkojnë të votojnë në 25 qershor është rritur me 2.4%. Ndërsa në krahasim me sondazhin e 31 majit numri i atyre që kanë thënë se nuk do të votojnë është rritur me 9.4%.
Ndërkohë është rritur edhe numri i të pavendosurve që në këtë sondazh është 8.5%, krahasuar me atë të datës 7 qershor, i cili ishte 7%. Ndërsa në sondazhin e 31 majit të pavendosurit ishin 9.6%.
SONDAZHI
Mbrëmjen e sotme, IPR Marketing ka sjellur në Tonight Ilva Tare, sondazhin e tretë për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Sa përqind merr secila parti në rang kombëtar? Pas Tiranës, Elbasanit, Durrësit dhe Fierit, sondazh edhe në qarkun e Shkodrës ku ndahen 11 mandate.
Rezultatet :
Sondazhi i pare: PS fiton zgjedhjet me 43%, PD me 36%, LSI 12%
Sondazhi i dyte: PS fiton 45%, PD 37%, LSI 13%, Libra 2%, PDIU 1.5%