Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, në katër vitet e mandatit të qeverisë shpenzimet për programin e Rilindjes Urbane llogariten në rreth 440 milionë dollarë.
Programi ka financuar qindra projekte, kryesisht në qendrat urbane por jo vetëm, të cilat kanë ndryshuar fytyrën e shumë qyteteve të vendit. Por opozita akuzon se Rilindja Urbane është shpërdorim i fondeve publike për fasadë, ndërkohë që vendi ka nevoja të tjera më urgjente.
“Katër vite ka harxhuar 16 miliardë euro buxhet. Rilindja urbane, 400 mln euro. 16 mln euro ka kushtuar sheshi. Vetëm fishekzjarret kanë kushtuar midis 200 dhe 400 mijë euro sipas ekspertëve. Sa vetë do të kishin marrë subvencione me këto para po të kishin shkuar për fermerët? Sa familje do të kishin marrë ndihmë ekonomike?”, deklaroi Basha në një nga takimet elektorale.
Por akuzave të kryetarit të opozitës, kryeministri iu përgjigj menjëherë dhe në stilin e tij. “Kritikët, Rilindjen Urbane e kanë përcaktuar si fasadë. Unë nuk e konsideroj fjalë negative fasadën. Ia thashë edhe Lulit, që nëse nuk e konsideron të rëndësishme fasadën, pse krihesh? E njëjta gjë vlen edhe për hapësirat urbane”, tha Rama në një takim të ngjashëm.
Por Rilndja Urbane nuk është sulmuar vetëm nga opozita, por edhe nga aleati katërvjeçar i Ramës në qeveri, Lëvizja Socialiste për Integrim. Përveç përplasjeve politike të javëve të fundit, sulmi i LSI ndaj Rilindjes Urbane mund të ketë edhe një motiv tjetër.
Në katër vjet, programi ka devijuar 440 milionë dollarë investime nga Ministria e Transporteve që kontrollohet nga LSI-në tek fondi i zhvillimit të rajoneve, që është nën varësinë direkte të Ramës.
“Deri dje e kishte fajin Saliu. Pas çadrës e paska fajin LSI. Po ju a ndjeni ndonjë peshë faji, që në këto katër vite e masakruat buxhetin e infrastrukturës rrugore dhe bujqësisë, për të bojatisur pallate e mbjellë pemë që thahen pa u dalë gjethja”, tha ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj.
Por kryeministri e ka një përgjigje edhe për aleatët mbi efektin që Rilindja Urbane ka patur në ekonominë kombëtare.
“Kemi ngritur 641 kantiere nga Tropoja deri në Konispol. Këto projekte kanë injektuar para’ në ekonominë kombëtare, duke krijuar punësim. Besojmë që nëse turistët janë rritur si numër në Shqipëri, kjo lidhet edhe me këtë program të Rilindjes Urbane”, tha Rama.