Një 59-vjeçar nga Durrësi ka tentuar që t’i vërë flakën vetes me benzinë në ambientet e gjykatës së Shkallës së parë.
Mësohet se Andon Shkodra, banor i lagjes nr.18 në qytetin bregdetar ka tentuar të vetëflijohet për herë të tretë brenda 10 ditësh.
Shkak është bërë një vendim i gjykatës së shkallës së parë të Durrësit, i cili daton në fillim të këtij muaji, ku Shkodrës i urdhërohet të lërë banesën ku jeton.
Fill pas kësaj, Shkodra është dërguar në polici, në gjendje të rënduar mendore. Burimet policore bënë me dije se kjo është hera e dytë brenda 48 orësh që 59-vjeçari tenton të vetëdigjet në gjykatë.
Sipas të njëjtave burime, disa vjet në parë Shkodra ka dhënë truallin e banesën ku jetonte një firme për të ndërtuar një pallat. Marrëveshja e bërë me pronarin e firmës nuk është zbatuar, pasi ky i fundit ndërroi jetë.
Më pas Shkodra ka kërkuar hyrje por me vendim gjykate është nxjerrë nga banesa pas ndërtimit të pallatit. “Pretendimet e tij kanë të bëjnë me truallin që ka dhënë për banesën e nuk ka përfituar“, pohojnë burimet e policisë së Durrësit, të cilat e kanë marrë në pyetje.
a.ç