Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është përgjigjur akuzave dhe kritikave të ish-kryeministrit Sali Berisha që ky i fundit bëri për sheshin “Skënderbej”. I ftuar në emisionin ‘Opinion’, Veliaj pohoi se nuk pret vlerësime nga dikush që mbajti peng për vite të tëra Shqipërinë dhe Tiranën. Ai me ironi theksoi se për dy vite Basha e shndërroi Sheshin “Skënderbej” në panolino.
“Ky është mendimi i një gjithologu, i cili shkatërroi Shqipërinë. Por meqë ky e ka djalin turist, të më gjejë një shesh më të mirë. Unë pash që vizioni i tij dhe i Lul Bashës që ishin të dy, prodhuan atë panolino si një kartodrom. Kjo e imja mund të mos ishte perfektja, por ata kishin 2 vjet dhe ne po ashtu. Ai la peng Shqipërinë dhe Tiranë peng. Nuk pres që Berisha të më falënderojë, do ishte dita ime më e rëndë. Berisha bëri një perversitet kur publikoi një fotomontazh të një lodre-penisi në Poloni, me formë të një simboli falik. Mos e do që ta bëjmë si kullat në Viçidol”, tha Veliaj.
Ndër të tjera Veliaj pohoi se sheshi ‘Skënderbej’, i cili sipas tij ka shkuar afërisht 13 milionë euro, është i vetmi në Europë që freskon veten e vet.
“Ne kemi pasur një projekt fillestar. Kishim disa kursime, siç ishin pllakat dhe kemi shtuar gjelbërimin. Në këtë sens, nuk është se kemi bërë mëkat që kemi vënë më shumë gjelbërim. Ky shesh ka disa shërbime. Ka një pjesë shërbimesh tek kafenetë tek OPERA, por ngelen për t’u parë”, pohoi ai.
a.ç