“Sfida e balenës blu”, që po merr jetë fëmijësh në botë, është kthyer në tmerr edhe për prindërit shqiptarë. Po cili është kuptimi i kësaj loje dhe pse në finale kërkohet vetëvrasja e fëmijëve?“
Loja në vetvete është një sfidë që duhet të realizohet për 50 ditë. Dita e fundit është ajo e finales, ku individi bëhet hero i lojës së tij duke vrarë veten. Lojën e ka krijuar një djalë 21-vjeçar për të thithur sa më shumë njerëz të dobët emocionalisht, për t’i bërë ata viktima të lojës së tij. Personi që ka krijuar lojën thotë se këta njerëz nuk i duhen shoqërisë”, tha për Top Channel Arjana Muça, psikologe.
Për psikologen, 21-vjeçari që ka krijuar lojën ka kaluar një fëmijëri më probleme të mëdha psikologjike, e për këtë arsye një nga kushtet e lojës është që fëmijët të jenë të grupmoshës 9-17 vjeç. Por pse ka zgjedhur këtë grupmoshë?
“Është mosha tipike, sepse flasim për fillimin e adoleshencës. Kur flasim për adoleshencën duhet të kemi parasysh që zhvillimi në vetvete është i lidhur me problematikën emocionale. Kemi rebelimin e një adoleshenti”, tha Arjana Muça.
Po prindërit, si ta kuptojnë nëse fëmija e tyre po luan apo jo me “Sfidën e balenës blu”?
“Prindërit duhet të jenë shumë të vëmendshëm. Pse ky fëmijë po mbyllet në vetvete? Pse nuk do ushqim? Pse zgjohet shumë herët? Kjo sepse një nga detyrimet e lojës është të zgjohesh herët. Gjëja e parë që duhet të bëjnë është të bisedojnë me fëmijën, duhet patjetër të kërkojnë ndihmë te një psikolog”, tha Arjana Muça.
Për Muçën, nga kjo lojë e rrezikshme nuk të shpëtojnë vetëm prindërit.
“Institucionet tona duhet të bëjnë të mundur që në qendrat e internetit të krijojnë zona të grupuara për fëmijë të moshave të caktuara, që të përdorin kompjutera me kod sigurie”, tha Arjana Muça./a.ç