Zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit- e para fushatë e qetë elektorale pas 27 vitesh tranzicioni demokratik.
Në rrugët dhe sheshet e Tiranës nuk ka asnjë portret kandidati për deputet, as logo të partive, as mitingje të zhurmshme takimesh me votuesit.
Kjo është e para fushatë elektorale minimaliste, e qetë dhe larg pompozitetit, gjuhës agresive mes dy partive të mëdha në konkurrim, PS dhe PD që i japin tonin fushatave.
Që të dyja dëshmuan në 27 vitet e deritanishme të regjimit demokratik dhe rotacionit të pushtetit me njëra-tjetrën aftësi për fushata elektorale me një konfliktualitet të egër dhe gjuhë urrejtjeje në ekstrem. Fushata ndryshe reflektohet edhe tek elektorati. Mungojnë biseda te zjarrta përpara një filxhani kafeje mes votuesish me vokacion të kundërt politik, që dikur përfundonin me grushta , nxjerrje thikash, armësh dhe vrasje.
Duke cituar analistët vendas, media gjermane del në përfundimin se kjo situatë mund të jetë rrjedhojë e marrëveshjes së 18 majit, falë të cilës të dyja palët ranë dakort të bashkëpunojnë për reformën kushtetuese dhe atë zgjedhore, si edhe për të çuar përpara procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, pa u vënë shkopinj nën rrota njëra- tjetrës.
Sipas politologëve, fryma e ashpër antagoniste mes Ramës dhe Bashës është zëvendësuar tani më tepër me batuta apo deklarata, të cilat nuk i prekin diferencat ideologjike dhe programore të dy partive kryesore në Shqiperi.
Ata mendojnë se të dyja forcat kryesore politike e kanë thyer tabunë e përkatësisë politike, ndaj dhe fushata po zhvillohet pa tension dhe larg gjuhës së akuzave të rënda. /b.d