Pas denoncimit të ish-kryeministrit Sali Berisha se në fushatë po përdoren makina të ushtrisë, reagoi edhe ministria e Mbrojtjes.
Sipas MM-së, trupat xhenierë të Fa-ve kanë qenë duke përfunduar dy ura në Sylbicaj dhe Viçidol të Tropojës, ndërsa theksojnë se nuk ka kohë të përshtatshme apo të papërshtatshme për t’i ardhur në ndihmë njerëzve.
Kërkesat për këto ura, midis shumë kërkesave të tjera në këtë zonë, kanë mbi tre muaj që kanë ardhur nga Bashkia Tropojë. Punimet janë planifikuar bazuar në mundësitë e FA-ve për të plotësuar kërkesat e ardhura nga gjithë vendi, por edhe bazuar në nevojën e FA për lehtësim të transportit strategjik. Kjo është ura e tretë që Ministria e Mbrojtjes bën në bashkinë Tropojë.
“Të parën e kemi ndërtuar afër 1 vit e gjysmë me parë. Ne do të vijojmë punën tonë, pasi ashtu siç plotësojmë me devotshmëri detyrimet kushtetuese, ashtu siç vazhdojmë të presim e përcjellim ushtarë nëpër misione, po ashtu do të vazhdojmë te jemi në funksion të nevojave dhe emergjencave qytetare.
Për Ministrinë e Mbrojtjes nuk ka kohë të përshtatshme apo të papërshtatshme për të qenë në shërbim të njerëzve. Për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura ka kohë të përshtatshme vetëm për t’i shërbyer shqiptarëve, ashtu siç dinë të shërbejnë vetëm ato. FA vazhdojnë të mbeten pjesa më e mirë e shoqërisë”, thtuhet në reagimin e minsitrisë.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në faqen e tij në rrjetin social “Facebook” ka publikuar edhe foto, me anë të së cilave pretendonte përdorimin e automjeteve të ushtrisë, një turp sipas tij për të cilin duhet të hetonte prokuroria.
“Ushtri per vote, Ushtri per vote!Turp per vote,turpe per vote!
Ndrikull Kodhelli, qe perdori aeroportet e ushtrise per transport droge, angazhon ushtrine ne fushate elektorale! I beje thirrje prokurorise te nise menjeher hetimin ndaj ketyre mercenarve me uniform qe nuk njohin ligj as ndere!sb”, shkruante Berisha.
/a.m.