Dështon arrestimi i biznesmenit Bardhok Pllanaj për herë të dytë brenda tri viteve. Pasi i shpëtoi aksionit të Policisë në Tiranë në vitin 2014, biznesmeni i dyshuar për trafik droge ka arritur t’u shpëtojë edhe një herë tjetër prangave të policisë.
Ata janë akuzuar për trafikim ndërkombëtar të narkotikëve në bashkëpunim më shumë se një herë. Por ndërsa këta katër persona ranë në pranga, edhe pse me vështirësi, mendohet se shtetasi Bardhok Pllanaj së bashku me pesë persona të tjerë, që kanë qenë pjesë e grupit, kanë arritur të shpëtojnë. Prokuroria dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme kanë dyshime se aksioni është dekonspiruar.
Dyshimet janë se lajmi për arrestimet që ishin autorizuar nga gjykata, ka shkuar para se policia të vepronte në veshin e vetë biznesmenëve në kërkim apo tek të afërmit e tyre. Bardhok Pllanaj i shpëtoi arrestimit edhe në ditët e para të tetorit 2014 pas një aksioni të antidrogës së Policisë së Tiranës. Forcat e Policisë ndaluan një makinë ku ndodhej edhe deputeti Mark Frroku në zonën e Kamzës, me dyshimet se biznesmeni ndodhej në atë mjet. Por asnjëherë nuk u arrit të bëhej kontroll në makinën në fjalë dhe të konfirmohej nëse biznesmeni kishte qenë vërtet aty apo jo.
TRAFIKU I DROGËS ME ITALINË
Pllanaj, së bashku me pesë të tjerë në kërkim dhe katër të arrestuarit, dyshohet se kanë drejtuar një rrjet që mblidhte drogë në gjithë Shqipërinë dhe e trafikonte në Itali. Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda është koordinuar muajt e fundit edhe me autoritetet e Prokurorisë italiane, që kanë sjellë prova e informacione në lidhje me faktin se grupi shqiptar furnizonte rregullisht me kanabis dy familje në zonën e Sicilisë në Itali.
Për hetimin e zhvilluar prej më se dy vitesh dhe muajt e fundit, Prokuroria ka siguruar të dhënat e nevojshme duke kërkuar në Gjykatë arrestimin e nëntë personave. Gjatë aksionit antidrogë të kryer me urdhër të Prokurorisë, policia ka arrestuar edhe shtetasit Andrea Mita, Kasem Pilurin dhe Altin Rramollin, por kanë arritur të shpëtojnë nga arrestimi gjashtë persona të tjerë.
Ata akuzohen për një rast të ndodhur në vitin 2016 kur një ngarkesë rreth 600 kilogramë kanabis u kap në zonën e Lagunës së Vilunit para se të nisej për trafikim drejt Italisë. Sasia u gjet në dy vende të ndryshme më 30 shtator dhe 1 tetor 2014. Sasia e parë u gjet në vendin e quajtur “Rana e Hedhun”, midis Lagunës së Vilunit (Velipojë). Sasia tjetër, 15 çanta me 97 pako droge, u gjet të nesërmen në vendin e quajtur “Grykëderdhja e Bunës”./panorama