Kryeministri Edi Rama vijoi turin e tij elektoral në Reç të Malësisë së Madhe. Rama u kujtua të urojë edhe liderin e PD Basha i cili sot feston 43-vjetorin. Në urimin e tij Rama i kujton sërish gjumin kreut të demokratëve.
“I paç 100 vitet ardhshme në gjumin më të ëmbël që dëshiron. Sinqerisht të uroj shëndet për fëmijët dhe familjen, gëzuar”.
Dhe pas urimit Rama u ndal te premtimet e Bashës në fushatë kur se “askush nuk e ha gënjeshtrën e Lulit se do të ushqejë fëmijët e kopshteve dhe nxënësit e shkollave”.
“Basha do jua ushqejë fëmijët nga kopshti deri në universitet, pas universitetit do vijnë në shtëpi e do thonë a ka gjë për të ngrënë. Po ka njeri që e ha këtë?” tha Rama.
Kryeministri u kujtua edhe për liderin historik të PD Sali Berisha, teksa u shpreh se “ai e di mjaft mirë që qeveria jonë ka bërë shtet”.
“Edhe Saliu e di por nuk ka për ta thënë që pas çerek shekulli se njerëzit humbën shpresën se ky vend mund të bëhet, por ne dhamë provën që asnjë tjetër përveç nesh nuk mund ta bëjë dot. Nuk e bëjnë dot se po ta bënin, do e kishin bërë. Ne kemi vizion kombëtar dhe evropian,” tha kreu i qeverisë./a.m.