Pas drejtorit të spitalit dhe kandidatit të LSI, dy përfaqësues të rëndësishëm të PS në qarkun e Beratit janë paditur. Ministri i Drejtësisë kallëzoi në prokurori kandidatin për deputet të këtij qarku Fadil Nasufi dhe Regjistruesin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Ledian Shehu, të akuzuar për veprat penale Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.
Referuar njoftimit të ministrisë, bëhet me dije se të kallëzuarit kanë shfrytëzuar veprimtarinë institucionale të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat, për qëllime të përfitimit politik në zgjedhje.
Gjatë një aktiviteti me karakter politik dhe fetar, Fadil Nasufi, në bashkëpunim me Regjistruesin Ledian Shehu, kanë bërë shpërndarje të çertifikatave për vërtetim pronësie, edhe pse kjo nuk është detyrë e një kandidati për deputet, por është veprimtari normale institucionale e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Për këtë arsye Ministria e Drejtësisë, ka kërkuar aplikimin e masave të sigurimit personal ndaj të kallëzuarve, për të parandaluar kryerjen e krimeve të të njëjtit lloj me atë për të cilën referohet në kallëzim.
Njoftimi i Ministrisë
Ministri i Drejtësisë z. Gazment Bardhi, ka kallëzuar sot në prokurori kandidatin për deputet të Qarkut Berat z. Fadil Nasufi dhe Regjistruesin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme z. Ledian Shehu, për veprat penale të parashikuara nga nenet 246 “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, 328 “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, si dhe 328/a “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, të Kodit Penal.
Sipas informacioneve të marra dhe të dokumentuara nga Ministria e Drejtësisë, të kallëzuarit kanë shfrytëzuar veprimtarinë institucionale të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat, për qëllime të përfitimit politik në zgjedhje.
Gjatë një aktiviteti me karakter politik dhe fetar, z. Fadil Nasufi, në bashkëpunim me Regjistruesin z. Ledian Shehu, kanë bërë shpërndarje të certifikatave për vërtetim pronësie, edhe pse kjo nuk është detyrë e një kandidati për deputet, por është veprimtari normale institucionale e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Sipas ligjit, kandidati për deputet as nuk mund të përvetësojë procesin e shpërndarjes së certifikatave për vërtetim pronësie, dhe as nuk mund ta përdorë atë për qëllime të përfitimit politik. Pajisja me certifikatë vërtetimi pronësie, është detyrim për Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, dhe asnjë kandidat për deputet nuk ka arsye për ta konsideruar këtë veprimtari shtetërore si “meritë” apo “kënaqësi” të tij, për shkak se një veprim i tillë sjell përgjegjësi penale.
Ministria e Drejtësisë, e konsideron thellësisht kriminale dhe të paligjshme, përdorimin e veprimtarisë shtetërore, për përfitime nga komunitete fetare, dhe për pasojë ka kërkuar aplikimin e masave të sigurimit personal ndaj të kallëzuarve, për të parandaluar kryerjen e krimeve të të njëjtit lloj me atë për të cilën referohet në kallëzim.
Ministri i Drejtësisë z. Bardhi, gjithashtu ka urdhëruar menjëherë edhe shkarkimin nga detyra të Regjistruesit të ZVRPP Berat z. Ledian Shehu, për shkak se ka lejuar përdorimin e veprimtarisë shtetërore, me qëllim favorizimin e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, në kundërshtim flagrant me ligjin dhe qëllimin e detyrës.
Ministria e Drejtësisë gjen edhe njëherë rastin të inkurajojë çdo qytetar që të denoncojë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve, duke qenë garant i zbatimit korrekt të ligjit.
Z. Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo veprimtari politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve së administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.