Ish-kryetari i LSI-së Ilir meta ka shpërthyer në akuza të ashpra ndaj kryeminsitrit Edi Rama, të cilin në këtë 4-vjeçar e kishte aleat në qeverisje. Presidenti i zgjedhur, agravoi tonet nga Lushnja në një miting të LSI-së ku tha se ‘kartelit të drogës do t’i jepet fundi’.
“Erdhi fundi i kartelit të kanabisit dhe krimit, që kërkon të trembë njerëzit që janë në punë të shtetit, për të mbajtur shushunjat e konçesioneve. Njerëzit duan të ikin nga Shqipëria sepse siç shkruante Dritëro Agolli në vitin ’94 kur Saliu i parë u çmend, shkruajti ca fjalë të thjeshta: ‘në vendin tim dhe në vendin tënd, një kokë e çmendur të gjithë po i çmend’”, deklaroi Meta.
Më tej ai tha se në 25 Qershor do mbyllet përfundimisht kapitulli i arrogancës dhe pabesisë.
“T’i japim Shqipërisë drejtimin e ri, sepse drejtimi i vjetër i timonierit të lodhur që e ka mendjen te timoni, ka bërë që 56 % e shqiptarëve të mendojnë të largohen nga Shqipëria. Ndaj, në 25 Qershor, të rinj dhe të reja të Lushnjes dhe gjithë Shqipërisë, do i thonë jo projektit të bastisjes së Shqiëprisë nga arroganca dhe konflikti politik. Sepse arroganca, përçarja, pabesia, dhe energjia negative është sëmundje e pashërueshme e drejitmit të vjetër që do mbyllë kapitullin njëherë e mirë në 25 Qershor”, deklaroi Meta./a.m.