Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, mori pjesë sot në Konferencën Kombëtare Shqiptare të Bimëve Medicinale dhe Aromatike të zhvilluar në Hotel Tirana. Të pranishëm ishin kompanitë kryesorë të sektorit që përbëjnë rreth 85 % te forcës grumbulluese, përpunuese, eskportuese të bimëve medicinale në vend. Eksportet e këtij sektori llogariten në 40 mln dollarë në vit dhe rreth 90 mijë vetë janë të punësuar. Të punësuarit janë kryesisht në zonat rurale dhe kjo industri ka një efekt të madh në zbutjen e varfërisë në këto zona. Qëllimi i kësaj konference është që e gjithë kjo industri të flasë në një zë, të rrisin bashkëpunimin mes tyre, të rrisin cilësinë, dhe vendet e punës.
Në fjalën e saj, Ministrja Ekonomi theksoi se ky sektor prodhon 47 për qind të bimëve medicinale e aromatike në Ballkan dhe punëson direkt dhe indirekt shtresën më të varfër të popullsisë. Ajo foli për ndihmën me fonde mbështetëse që Ministria e Ekonomisë i ka dhënë këtij sektori, ku dy vitet e fundit katër biznese kanë fituar fondin e konkurrueshmërisë dhe dy biznese fondin start-up. Ajo tha se në qeverisjen e ardhshme kjo mbështetje do të vazhdojë. Ndërsa Filip Gjoka, kreu i shoqatës së Bimëve Mjekësore e Medicinale, tha se klima e biznesit është më e konsoliduar se asnjëherë tjetër. Ai theksoi se paketat fiskale të miratuara kanë sjellë shumë lehtësira. Ai falënderoi Ministren për ndihmën në këtë sektor, ndërsa tha se duhet bërë më shumë./a.m.