Pa u dukur, larg magnetit të famës dhe mjeteve të tij: Ajo shkon në punë pa një mjet të dedikuar meqë është gruaja e kryeministrit. Shkon si Linda Rama, pa bodygard e xhingla pushteti. Ka sigurisht një magnet që quhet familja me Edin, Zahon, Rean dhe Gregun ku pa dyshim i vogli Zaho e tërheq më shumë.
Ajo e pranon edhe vetë që fati nuk ka qenë me të koprrac por që një aftësi e lindur e të qëndruarit me këmbë në tokë duket se i ka dhënë zonjës Linda Rama një ekuilibër që rrallë e gjejmë tek gratë që fati i ka hedhur në rrugët e historisë dhe pushtetit njëherësh.
Pas shumë kohësh bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama ka dhënë një intervistë të gjatë e të thellë për revistën britanike “Global Women”, ku flet për fëmijërinë në një oborr të shndritshëm, për vitet e para të demokracisë dhe sfidat e jetës para Edi Ramës dhe pas njohjes me të, vitet në opozitë dhe ato në pushtet.
Në fund të intervistës kupton se Linda paska bërë kaq shumë gjëra ndryshe, paska zgjedhur të jetë kaq pak dhe shumë në të njëjtën kohë. Pa u dukur, larg magnetit të famës dhe mjeteve të tij: Ajo shkon në punë pa një mjet të dedikuar meqë është gruaja e kryeministrit.
Shkon si Linda Rama, pa bodygard e xhingla pushteti. Ka sigurisht një magnet që quhet familja me Edin, Zahon, Rean dhe Gregun ku pa dyshim i vogli Zaho e tërheq më shumë. Për shumëkënd që e ka ndjekur me vëmendje gruan e kryeministrit do ketë dëgjuar që ajo të flas shpesh për botën e re virtuale ku të gjithë jemi bërë pre. Jo për ta anatemuar po për mënyrën sesi për një “Click” dhe një “Like” jemi bërë të gjithë ujqër.
Linda e thotë prej kohësh, gati e ulëret thirrjen se diçka duhet bërë për të mos humbur jetën e vërtetë. E ka thënë edhe në këtë intervistë dhe editori duket që është një gazetar tipik britanik me titullin që ka zgjedhur në kopertinë: The ‘Women beyond clicks and likes’ (Gruaja përtej klikimeve dhe pëlqimeve).
Ju keni lindur në një vend të vogël, që për shumë vite ka qenë i izoluar. Si ka ndikuar ky fakt në jetën tuaj si grua?
Madhësia e vendit ku lind, për mua nuk matet me kilometra katrorë, po me ngjarjet e kohës që jeton! Në këtë sens unë, si i gjithë brezi im, pata fatin të jetoj ngjarjet e jashtëzakonshme që ndanë historinë e Shqipërisë në dy pjese krejt të ndryshme; totalitarizmin komunist, me izolimin ekstrem edhe nga vetë të ngjashmit tanë në Lindjen Bolshevike dhe demokracinë në formim, pas rënies së mureve të izolimit, ku u gjendem të mbushur me ëndrra përballë hendekut të pamatë që na ndante nga bota e ëndrrave tona. Imagjinoni pak vetëm faktin që deri në rënien e mureve, brenda të cilave kishte kaluar fëmijëria dhe jeta ime universitare, ne jo vetëm që nuk kishim komunikuar ndonjëherë me ndonjë të huaj, por as që e kishim imagjinuar që mund të vinte një kohë që gjuhët e huaja do të na duheshim me shume se sa për te lexuar libra. Jeta jonë, e zhvilluar deri aty, brenda lagjes dhe qytetit, me udhëtime shumë të rralla jashtë vetë qytetit, për ndonjë javë pushimesh me familjen apo ndonjë rast krejt të veçantë si dasma ose vdekje të afërmish diku gjetkë, u spostua sa hap e mbyll sytë në detin e paanë të lirisë e të mundësive që s’i kishim menduar kurrë dot më parë. Mes barazisë në varfëri, brenda rrethit të një ekonomie të centralizuar në rrugën e të tatëpjetës, dhe botës se re të mundësive për t’u ndarë nga varfëria, kaluam fazën e një marrëzie në sensin e kundërt, ku individualizmi ekstrem në mungesë të institucioneve demokratike e bënte jetën tonë të ngjante me një kaos e kacafytje, për të mbijetuar në mes të detit pas mbytjes së Titanikut. Ja pra sesi, në një vend kaq të vogël, ne u bëmë dëshmitarë të historisë së madhe të Europës dhe besomëni, jeta jonë në rrugën e kësaj historie ishte kaq marramendëse sa vendi na dukej nganjëherë i madh sa vetë bota në kaotizmin e në çuditë e transformimit rrënjësor, për mire dhe për keq.
Çfarë kujtoni nga fëmijëria dhe cilat janë disa nga ëndrrat që kishit e vogël?
Fëmijëria në kujtesën time është një oborr i ndritshëm, me kufij të papërcaktueshëm, zërash dhe shijesh të dashura. Kujdesi dhe durimi i gjyshërve e prindërve për t’u dhënë lidhjeve të mia me oborrin, sensin e historisë sonë familjare, vlerave e normave të trashëguara brez pas brezi, mënyrës modeste të të jetuarit, janë gurët më të çmuar të fëmijërisë sime. Ashtu sikundër janë kaq shumë të çmuara, kujtimet e lojërave të improvizuara, në oborrin e mungesave të paimagjinueshme sot nga pikëpamja materiale. Për tim bir kukulla e Mikit apo një makine e Spiderit, janë pjesë e zakonshme e jetës së tij, për ne një kukull e bërë me duart tona, ishte vetë mrekullia. Kur ngjiteshim lart tek fqinji që kishte telefon në shtëpi, për t’u uruar Vitin e Ri kushërinjve jashtë qytetit, ishte si të ngjiteshim në një anije kozmike. Ndërsa sot kur i shoh fëmijët me sytë ngulur mbi filmat e tyre në ekranin e ipad-it, kam përshtypjen, mbase të gabuar, që nëse gëzimi ynë atëherë për një lodër a një telefonatë, ishte si të të dilnin krahë që të mbanin në ajër për kushedi sa kohë, gëzimi i tyre sot zgjat sa një click dhe shpejtësia e fashitjes së tij nuk lë vend për t’u ndjerë të sigurt që ata do të dine t’u gëzohen gjërave të thjeshta të jetës.
Ju jeni investuar shumë në shkollimin dhe karrierën tuaj. Sa e vështire ishte kjo për një grua që vinte nga një regjim komunist?
Studimet universitare unë i përfundova në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë me rezultate të shkëlqyera pak vite përpara kolapsit të regjimit komunist. Izolimi ekstrem i deriatëhershëm nuk na kishte mundësuar asnjë lloj informacioni të pa indoktrinuar. Tekstet perëndimore për ekonominë ishin mollë e ndaluar. Taksat quheshin forma e rrjepjes se lëkurës se proletariatit nga sistemi kapitalist. Prona private ishte baza e padrejtësisë shoqërore. Marrja e borxheve nga jashtë varësi ekonomike që çonte në gjunjëzim politik. E gjendur në nevojën për t’i paraprirë ndryshimit, kur Rea, vajza ime, ishte vetëm 2 vjeç e gjysmë, u largova jashtë vendit për më shumë se një vit për studimet master si e vetmja mënyrë për t’u ballafaquar me boshllëqet e mia. Kalova një shock të vërtetë akademik dhe kulturor. Më pas u ktheva dhe bëra edhe doktoraturën. Asokohe, punoja në qeveri në institucionin e ngarkuar me privatizimin e ekonomisë, jepja mësim në universitet dhe njëkohësisht isha e angazhuar në studime me kolege nga vendet e tjera. Dhe ky intensitet i shoqëruar me ankthin e mbushjes se çdo boshllëku me informacion bashkëkohor, nuk ka reshtur as sot kur ka kaluar më shumë se çerek shekulli, madje është kthyer në mënyrë jetese. Për një grua ky intensitet është strapacues në kushtet kur duhet me të njëjtin intensitet të kujdesesh për fëmijën dhe familjen. Kështu ka qenë ky çerek shekulli për shumicën e shqiptarëve të brezit tim me sfida dhe sakrifica. Por po të më pyesnin sot nëse do të zgjidhja të isha qysh në lindje në një vend të zhvilluar perëndimor apo në Shqipërinë e vogël ish-komuniste për të jetuar më tej këtë transformim epokal, do të zgjidhja pa asnjë hezitim këtë që jetova.
Si i keni përjetuar vitet nën regjimin komunist?
Kur më duhet të mendoj për këtë, gjithnjë më kujtohet gjyshi, që nuk e jetoi dot lirinë. Pastaj më shkon mendja tek gjyshja dhe prindërit, që e përjetuan lirinë në prag të pensionit dhe tranzicionin e jetuan si një hije që u pengonte frymën në çdo hap. Ndërsa kur je fëmijë dhe shkollar, vështirësitë e familjes në një sistem ku të gjithë janë të varfër, perceptohen pak dhe kalohen lehtë. Më të rriturve jeta u projektohej si gatishmëri për luftë me armikun, sakrificë për sovranitetin e atdheut, përpjekje për familjen nen një tavan shumë të ulet mundësish objektive drejt rritjes së mirëqenies. Por e pata dhe unë pjesën e të rriturës në atë periudhë, kur nisi të më brejë shqetësimi mbi realitetin e lirisë së kufizuar. Prindërit shqiptarë në tërësi, nuk harronin kurrë t’i këshillonin fëmijët që të vegjël se s’duhet te ankoheshin jashtë shtëpisë, për mungesat e çfarëdollojshme. Por kjo perçe vetëkontrolli niste e shpohej në ballafaqimin e arsyes me realitetin dhe për mua, kjo kohë përkoi me periudhën e fundit të komunizmit, duke më dhënë mundësinë të jetoj rrugën drejt fundit të iluzioneve. Vajzat, sapo kalonin të 18-tat ishin preja e mundshme e shkesëve që ndërmjetësonin martesat e pilotuara nga prindërit dhe të afërmit, ose preja po aq e mundshme e gjykimeve të rrezikshme të njerëzve të partisë mbi moralin e tyre, çka i bënte marrëdhëniet e dashurisë tejet të kujdesshme në sytë e njerëzve. Kryeqyteti ku jetoja unë mund të konsiderohej hapësira me liberale, po një puthje në publik ishte sidoqoftë aq e rrallë, sa unë nuk e kam pare kurrë një të tillë! Në Shqipërinë rurale gjithçka ishte shumë më e vështirë për gruan dhe vajzën. Ndonëse duhet thënë, nga njëra anë, se përpjekjet e regjimit në atë që quhej “emancipimi” i gruas ishin të mëdha, po te kemi parasysh shoqërinë e mbyllur patriarkale të paraluftës ku gruaja jetonte në izolim social dhe kishte statusin e gjithëpranuar të garantueses së riprodhimit të jetës e kujdesit për fëmijët dhe shtëpinë. Por nga ana tjetër, emancipimi komunist i gruas ishte njëkohësisht edhe defeminilizimi deri në sterilitet, i trupit të saj në art, muzikë, fotografi. Barazia e gruas me burrin, paraqitej në veshjet që i fshihnin hiret femërore, në kostumet e njëjta të punës në fabrikë, në krahët muskuloze të grave që punonin në arat e kooperativës apo në qëndrimin e ngrirë të këngëtareve që s’mund të kishin as funde mbi gju e as pantallona në skene.
Si arritët t’ia dilnit dhe të plotësonit ëndrrat e një gruaje vizionare?
Unë nuk e di nëse duhet ta pranoj përcaktimin tuaj për mua si një grua vizionare dhe këtë e them jo për modesti, por sepse sipas meje, për ta mbajtur këtë përcaktim duhet të pranosh se je njësoj si gra që kanë bërë botën të rrëqethet me fuqinë e vizionit e të vullnetit të tyre heroik. Por natyrisht, jam një grua që kam pasur gjithnjë ëndrrën e madhe për të qenë e dobishme jo vetëm për veten, as vetëm për familjen time a për rrethin e njerëzve të dashur, po edhe për shoqërinë e për vendin tim. Nuk e kam parë kurrë këtë dobishmëri si rezultat i një protagonizmi imponues në mjedisin social e aq më pak akoma në media. Po e kam ndjekur ëndrrën time, duke u munduar të përgatitem sa më shumë për të folur sa me saktë, kur kërkohet mendimi im. Dhe me duhet ta them, fati nuk ka qenë koprrac me mua dhe kjo ma ka bërë më të lehte të jem ajo që dua.
Kush ka qenë modeli që keni ndjekur?
Prindërit e mi për mësimin se asnjë vështirësi e jetës nuk është arsye për të mos qenë njeri i dinjitetshëm dhe çdo pengesë apo mungesë në jetë mund të kapërcehet me forcën për të dhënë dashuri e me aftësinë për t’iu gëzuar gjërave të thjeshta të jetës.
Çfarë ju frymëzoi për t’u marrë me kaq shumë projekte në fushën e të drejtave të njeriut?
Nevoja për të qenë e dobishme, për të mundësuar për të tjerët gjera që s’më mungojnë, për të bërë mirë me aq sa mundem. Sot është një fakt i pamohueshëm që aktivizimi i thuajse dy dekadave të para të tranzicionit ka ndikuar në zbutjen e shumë problemeve që nuk gjenin asnjë vëmendje në zyrat e shtetit. Aktivizmi qytetar, shoqëria civile siç mësuam ta quajmë, ishte një hap përpara institucioneve të një shteti në përpëlitje mes asaj që kishte qenë dhe asaj që donte të ishte. Strehëzat e grave dhe vajzave viktima të trafikimit, themelet e shërbimeve komunitare, modelet e bashkëpunimit të shkollave me komunitetet, mekanizmat e luftës kundër dhunës në familje dhe shumë të tjera, janë së pari meritë dhe produkt i aktivizmit civil të viteve kaotike të tranzicionit.
Si do ta përshkruanit pozicionin e grave shqiptare sot?
Pas një çerek shekulli të mundimshëm, si në një anije mes dallgëve të larta, në një tranzicion të zgjatur, bota e vajzave dhe grave sot ngjan me një medalje me dy anë. Njëra anë është e ndriçuar nga historitë e atyre që ia kanë dalë në mënyrë mbresëlënëse të jenë të suksesshme si politikane, administratore, mësuese, mjeke, sipërmarrëse, artiste. Mjafton të përmend këtu që gjysma e kabinetit qeveritar sot në Shqipëri është me gra, po kështu një e katërta e Parlamentit shqiptar, më shumë se 40% e linjës së parë të menaxhimit në kompanitë private janë gra, po ashtu edhe shumica në mësuesi dhe në shëndetësi. Por ana tjetër e medaljes është e rënduar nga errësira e historive të vajzave dhe grave që gjenden në kthetrat e diskriminimit e të dhunës së përditshme, qysh prej fëmijërisë e në vazhdim, në një botë ku nënshtrimi i gruas është normë jetese. Është kjo një botë e vjetër që ka rifilluar të marrë frymë bashke me lirinë, një sferë e mënjanuar e jetës ku nuk penetrojnë sytë e kudondodhur të medias, po as fuqia e institucioneve. Janë gra dhe vajza jashtë rrjetës së internetit, jashtë hapësirës së pushtuar nga klikimet e pëlqimet e çastit, që megjithëse e pafundme, ato nuk i arrin dot. E pyes veten shpesh çfarë do të mund të bënte, si do të mund ta ndihmonte interneti, një grua a një vajzë të izoluar matanë kufijve të botës së tij?! Si do të mund ta arrinte, ta thithte në rrezen e fuqisë së tij e t’i përçonte përmes saj, një mesazh, një shprehje vëmendjeje, një shprese?! Nuk e di, po e ndjej veten vërtet keq, nën peshën e pafuqisë sime për të kuptuar se si mund të ndriçohet ajo anë e medaljes…
Çfarë mendoni për demokracinë në Shqipëri? Çfarë ka sjellë demokracia për gratë shqiptare?
Demokracia është një fjalë shumë e thjeshtë për ta thënë po mua me duket shumë e vështirë për t’ia vënë si emër një periudhe të historisë si kjo e jona. A mjafton që të ketë zgjedhje të lira për të thënë që jemi në demokraci?! Nuk e di, nuk jam e bindur, sepse nuk me duket se përtej faktit që zgjedhim të lire, jemi edhe zgjedhës që respektohemi në të drejtat tona për sa kohë s’kemi ende një drejtësi që funksionon për të gjithë njësoj. Po jo vetëm kaq, sepse ende s’kemi një shtet që të na përgjigjet dhe jo vetëm të na kërkojë. Shkurt, kur s’kemi ende institucione ku shërbimi të jetë uniform dhe impersonal, a mund të themi se kemi një demokraci realisht funksionale?! Por ja që ka, përsëri, një anë tjetër edhe kjo medalje, sepse vërtetë sa thashë janë, besoj, siç i thashë, po nga ana tjetër kaq shumë gjëra kanë ndryshuar sa zor të mos gjesh një ngushëllim të shëndetshëm për çka ende duhet të ndryshojë.
Çfarë do të thotë për ju të jesh bashkëshortja e Kryeministrit shqiptar?
Besoj që rrëfimet e publikuara të bashkëshorteve të kryeministrave në shumë vende të tjera, pavarësisht madhësisë apo standardit të jetesës, thonë me fjalë e me ngjarje të ndryshme të njëjtën gjë. Kam lexuar disa prej tyre dhe të duket që shumë prej përjetimeve janë të njëjtat, madje mua më duket sikur janë rëndom të miat. Por nëse duhet ta përkufizoj se ç’do të thotë për mua, mund të them me plot gojën që është një nder dhe një peshë e madhe përgjegjësie, të mendosh që njeriu në krahun tënd, të cilit i ke dhënë veten e me të cilin ndan barrën e mirërritjes së fëmijëve të tu, është i besuari i shumicës së njerëzve të vendit tënd. Nder sepse ata kanë besuar të zgjedhurin tënd, por përgjegjësi sepse karshi tyre detyrimi është aq, po aq i madh, sa me bën gjykatësen më të rreptë të burrit tim.
Si ka ndryshuar jeta juaj pasi u martuat me të?
Edi është kryeministër sot, por si dje kur nuk ishte dhe si nesër kur nuk do të jetë, ai është për mua, njeriu i dhuntive të rralla që lidhen me të folurën, të shkruarin, të pikturuarin e të dizenjuarin… Unë e quaj veten me fat që jetoj me Edin dhe dy fëmijët tanë të mëdhenj, Gregun e Rean, që të dy të përkushtuar mbas krijimtarisë artistike; sepse jam veshi dhe syri i parë që ndeshem me idetë e me krijimet e tyre. Kjo është një përmasë e posaçme e jetës sonë familjare, ku Edi ka një rol frymëzues dhe ku mua me takon detyra që hera-herës, t’i zbres të tre artistet me këmbë në tokë!
Cilat janë angazhimet tuaja publike më të rëndësishme si bashkëshorte e Kryeministrit?
Kanë qenë jo të paktë ata që nuk besonin që unë do të vijoja aktivitetin profesional njëlloj si më parë dhe që do të mundesha të mos ndryshoja literalisht asgjë në të përditshmen time. E njëjta rrugë për në punë, pa truproje apo automjet të dedikuar, të njëjtët miq, pa salltanete e boshllëqe në komunikim, të njëjtat punë zyre e shtëpie si më parë. Profili i bashkëshortes se kryeministrit është një zgjedhje personale. Dhe unë kam pasur qysh me parë, pa e menduar se do vihesha në pozitën për ta zbatuar këtë vetë, që publikut i duhet protagonizmi i njeriut që ka votuar për kryeministër, jo i gruas apo burrit të të parit të qeverisë. Të gjitha përçapjet për të imituar çiftet presidenciale në vendet ku është tradite apo për të modeluar statuse të “Zonjave të para”, janë disi të papërshtatshme në një Republikë Parlamentare si e jona. Por nga ana tjetër, ka momente kur mund të thuash diçka me vlerë brenda profilit tënd profesional apo shoqëror, dhe në këto momente s’ka vend për ngurrim.
Si është dita juaj e zakonshme?
Edi dhe fëmijët thonë që unë jetoj për të punuar, nuk punoj për të jetuar! Fakti është që puna është pasioni im i pashtershëm, por në këto 3 vitet e fundit, Zaho, djali ynë 3 vjeçar, me ka rrëmbyer si askush e asgjë dhe kështu më duhet ta pranoj se për herë të parë në jetën time profesionale, pasioni për punën ka një pasion konkurrues shumë të fortë. Mëngjeset dhe mbrëmjet e pushtuara nga aroma, përkëdhelitë dhe tingujt e tij që kthehen ditë pas dite, në fjalë e në fjali, janë një magnet i papërballueshëm që më mban më gjate larg zyrës paradite apo me tërheq e me largon me shpejt nga zyra, pasdite.
Cila është ëndrra juaj më e madhe?
Të jetoj ditën kur të mund t’i shoh fëmijët tanë të përmbushur në jetën e tyre, në një botë më të mirë dhe më të paqtë se kjo që kemi.
Cili është mesazhi juaj për gratë shqiptare dhe gratë në mbarë botën?
Bota sot ballafaqohet me kriza ekonomike, financiare, sociale apo psikologjike të një thellësie të caktuar, ku institucionet, aktorët apo faktorët e progresit teknologjik, që e kanë përthithur pothuaj të gjithë vëmendjen e publikut, nuk japin siguri për qëndrueshmërinë e të nesërmes. Dhe kam përshtypjen se më shumë se sa vetë krizat sot, është frika e përshkallëzimit të tyre në një botë gjithnjë e me horizontale, që e rrit eksponencialisht ndjenjën e pasigurisë apo vetmisë tek njerëzit. Ja pse besoj që koha e Eleonor Rusvelt që e quante sfidë të grave konsolidimin e demokracisë, është rikthyer me të gjithë forcën e aktualitetit./TiranaPost