Gjatë fushatës zgjedhore nëpër rrjete sociale janë shpërndarë lajme të rrejshme dhe linçuese për parti të caktuara. Zyrtarë të LDK-së, si dhe vetë kandidati për kryeministër nga ky subjekt politik, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje që kjo fushate linçuese të hetohet nga organet e drejtësisë. Policia me anë të raportit 24 orësh ka njoftuar se tashmë kanë nisur hetimet për këto lajme që janë shpërndarë gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë.
“Rasti është duke u trajtuar dhe duke u hetuar nga njesitë relevante policore”, ka konfirmuar policia, citohet Express.
Siç njofton policia, Gazeta Kosova Sot ka paraqitur në polici rastin e lajmeve të rrejshme me logon e kësaj gazete. “Prishtinë 29.05.2017-NN.
Me 09.06.2017 ankuesja femër K/Shqiptare, ka raportuar se person-a të panjohur kanë vjedhur emrin dhe logon e Gazetës Kosova Sot dhe janë duke shpërndarë lajme të rrejshme në disa vebfaqe. Po ashtu rasti është duke u trajtuar dhe duke u hetuar nga njësite relevante policore”, thuhet në raportin e policisë, transmeton Express.
Në raportin e policisë thuhet se edhe dikush tjetër ka kërkuar që lajmet e rreme të thirrura në emër të një portali tjetër të hetohen nga policia.
“Prishtinë 08.06.2017-21:30. Me 09.06.2017 ankuesi mashkull K/Shqiptar, ka raportuar se person-a të panjohur në mënyrë të rrejshme duke u thirrur në emër të portalit, kanë publikuar lajme lidhur me aktivitetet politike-zgjedhore. Rasti është duke u trajtuar dhe duke u hetuar nga njësite relevante policore”- thuhet në raportin e policisë.
Ndërsa LDK-ja, lajmin e rremë se gjoja Avdullah Hoti është takuar me kryetarin e PDK-së, e ka cilësuar të qëllimshëm për t’ia dëmtuar imazhin Hotit një ditë para zgjedhjeve. (b.an)