Kursimet në monedhën e përbashkët evropiane, që shqiptarët kanë vendosur në bankat e nivelit të dytë, ishin 3.6 miliardë euro në fund të muajit prill, apo sa gati 50% të totalit të depozitave në vend, sipas statistikave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Gjatë vitit 2016, kursimet në valutë e kaluan për herë të parë vlerën e atyre në lekë, për të arritur në rreth 52% të totalit në fund të prillit 2017. Euro mbetet gjithnjë një monedhë e preferuar kursimi, edhe pse interesat që ofrojnë bankat në Shqipëri për depozitat pranë tyre në valutë janë tepër të ulëta.
Euro ka shënuar rënien e radhës gjatë ditës së djeshme, duke zbritur në kuotën e 133.64 lekëve. Kjo ishte pasojë edhe e rënies së vlerës së valutës evropiane në bursat ndërkombëtare në masën 0.29% brenda ditës si pasojë e rezultatit të papritur të zgjedhjeve parlamentare në Britaninë e Madhe.
Në fakt, duhej të zhvlerësohej paundi, por pasiguria rreth së ardhmes së këtij vendi me ekonomi të fuqishme ka sjellë pështjellim në bursa ku peshon shumë vendimi për daljen e Londrës nga BE, çka ka sjellë njëkohësisht edhe zhvlerësim të euros.
Ndërkohë, dollari amerikan ka shënuar rritje edhe në Tiranë, duke u këmbyer me 119.4 lekë mesatarisht, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, me rritje 0.39 lekë në krahasim me një ditë më parë, duke reflektuar edhe forcimin e tij në bursa.
Në tregun vendas kjo është java e tretë radhazi gjatë së cilës euro po njeh vetëm humbje në vlerë. Por, me nivelin e 133.6 lekëve, që arriti dje, euro ka arritur një rekord të ri të ulët, i cili nuk mbahet mend që nga shtatori i vitit 2009.
Depozitat
Por kursimtarët nuk janë të humbur vetëm nga lëvizja në rënie e kursit të këmbimit valuator. Të gjithë ata klientë, që kanë futur në bankë paratë e lira, kanë fituar më pak gjatë muajit prill.
Pothuajse të gjitha afatet kanë shënuar rënie, por më e fortë ishte ajo për depozitat 48-mujore, interesi i të cilave zbriti, nga 3.04%, në 1.7% në vit. Për depozitat njëvjeçare, interesi mesatar në prill ishte 0.81%, nga mbi 5% që ishte vite më parë.
Edhe ky faktor ka bërë që individët të mos e shohin bankën si një alternativë tërheqëse për të ruajtur paratë e tyre.
Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë treguan që depozitat me afat të individëve në lekë janë tkurrur edhe me 8.8 miliardë lekë në katër muajt e parë të vitit (rreth 65 milionë euro). Që nga tetori 2013, depozitat me afat të individëve në lekë kanë shënuar vetëm rënie, duke u reduktuar me 105 miliardë lekë, apo rreth 760 milionë euro. shqiptarja.com