Policia e Kosovës është në gatishmëri maksimale për zgjedhjet e së dielës. Zëdhënësi i saj, Baki Kelani thekson se të gjitha strukturat e policisë janë në gatishmëri.
“Kemi angazhuar një numër të mjaftueshëm zyrtarësh policie, duke përfshirë nga zyrtarë të Rendit Publik, të Transportit Rrugor, por njëkohësisht edhe zyrtarë të njësive të tjera që kanë të bëjnë me angazhime sipas planit operativ për mbarëvajtjen dhe ofrimin e sigurisë gjatë procesit zgjedhor. Pra do të kemi zyrtarë të mjaftueshëm policorë, e në varësi të nevojave do të inkuadrohemi edhe në terren”, tha Baki Kelani.
Kelani ndalet dhe te situata në veri të Kosovës.
“Nuk parashikohet ndonjë rrezikshmëri e lartë, por kjo nuk do të thotë se në disa pika apo qendra votimi në veri të Kosovës, të konsiderohen si me rrezikshmëri paksa më të lartë. Pikërisht atje do të kemi numrin më të madh të zyrtarëve policorë, në mënyrë që të ofrojmë siguri edhe në atë pjesë”, tha Kelani raporton TCH.
Veç strukturave të Policisë, rol kryesor në mbarëvajtjen e këtij procesi ka edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili në mbledhjen e së premtes miratoi edhe numrin përfundimtar të vëzhguesve.
“Në total janë rreth 30 mijë vëzhgues, të cilët do të jenë të pranishëm nëpër qendra të ndryshme votimi në të gjithë Kosovën”, u shpreh Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
Pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe atij 2014, këto të 2017-s janë të tretat që zhvillohen edhe në veri të Kosovës. Por ndryshe nga dy zgjedhjet e mëparshme, në këto të fundit, roli i OSBE-së do të jetë shumë më i vogël. Ky ndoshta do të jetë edhe një test për KQZ-në e Kosovës.