Përfaqësuesi i Prokurorisë në sallën e gjyqit në procesin gjyqësor në ngarkim të Denis Shtrazës, i akuzuar për rrëmbimin e Gazmend Çollakut në Durrës, më 6 janar 2016 i kërkoi dje gjykatës t’i drejtohet me një shkresë Ministrisë së Drejtësisë për përshpejtimin e ekzekutimit të një letërporosie drejtuar autoriteteve gjermane, shkruan “Panorama”.
Bëhet fjalë për kërkesën e drejtuar gjermanëve për analizimin e GPS-së së mjetit “Mercedes Benz ML” të Ervin Dalipajt, ku Prokuroria pretendon të jenë gjetur gjurmë gjaku të njëjta me ato që janë gjetur në vendngjarje dhe në rrobat e viktimës. Kërkesa nuk u mor në konsideratë nga trupi gjykues.
Sipas Prokurorisë, ata e kanë lidhur në këmbë dhe duar me fasheta të zeza, e kanë transportuar si fillim me një mjet tip “Audi”, për në fshatin Murqin të Krujës. Çollaku është gjetur 24 orë më vonë i pajetë, me një plagë arme zjarri në kokë, i hedhur në një rrugë në këtë zonë.
Referuar shenjave në trup, para se të ndërronte jetë ai ishte torturuar. “Kur dy shtetasit nën hetim Ervin Dalipaj dhe Deniz Shtraza janë shoqëruar nga policia vetëm 3-4 orë pas rrëmbimit dhe vrasjes së shtetasit Laert Çollaku me mjetin tip “Benz ML”, me ngjyrë të zezë me targa AA671MZ, në pronësi të Ervinit, ku janë gjetur gjurmë gjaku të njëjta me ato që janë gjetur në vendngjarje dhe në rrobat e viktimës”, pretendon organi i akuzës./a.m.