Një përpjekje të policisë për të implikuar administratorin e Njësisë Nr.2 të Tiranës. Kështu e ka cilësuar LSI akuzat e ngritura nga policia ndaj Elez Gjozës në lidhje me 70 emra fiktivë në listat e votuesve.
Ditën e sotme Policia njoftoi se ka nisur hetimin ndaj Gjozës pasi në listat e zgjedhësve bëjnë pjesë 70 persona me pasaportizim në shtëpinë e administratorit të njësisë Nr.2.
Por në një dalje publike Elez Gjoza dhe Luan Rama kanë hedhur akuza të rënda ndaj Saimir Tahirit dhe drejtuesve të policisë. Duke e cilësuar si ministër të kanabisit, Rama tha se Tahiri po përpiqet të trembë qytetarët për të bërë zgjedhjen e tyre.
Luan Rama deklaron se karteli i drogës vazhdon të ketë nën kontroll drejtorin e policisë së shtetit Haki Çakon.
“Karteli i drogës vazhdon të ketë nën kontroll drejtorin e policisë së shtetit dhe po e përdor në rol politik për të goditur kundërshtarët politikë”
Nga ana tjetër, Gjoza theksoi se ka nisur një tjetër kallëzim për akuzat në fjalë kundrejt policisë. Sipas tij, rasti i bërë sot publik ka lidhje me para vitit 2013 dhe është një çështje e mbyllur.
Çdo qytetar ka të drejtë ta zgjedhë vetë vendbanimin, tha sot Elez Gjoza i cili u shpreh se akuza është qesharake.
Nga ana tjetër, Luan Rama i bëri thirrje Adriatik Llallës që të hetojë policinë.
“Siç mund ta vini re fare qartë e gjitha është një akuzë e ngritur mbi asgjë. Për këtë arsye, z. Gjoza ka bërë denoncim në prokurori për kallzim të rremë dhe shpërdorim detyre ndaj policisë që është marrë me këtë çështje. Unë ftoj Prokurorin e Përgjithshëm të hetojë dhe të nxjerrë para ligjit çdo falsifikator që përpiqet të përdorë institucionet për të vënë nën terror qytetarët që të mos jenë të lirë të bëjnë zgjedhjen e tyre” – tha sot Luan Rama.
Në fjalën e tij Luan Rama i bëri thirrje edhe ministrit aktual Dritan Demiraj që të dorëhiqet nëse nuk ka kontroll të plotë mbi Policinë e Shtetit.
“Dua të falenderoj disa prej punonjësve të policisë që kanë denoncuar pranë meje rastet abuzive brenda uniformave blu. Nuk mundet që policia të merret peng siç u mor për të mbjellë kanabis, edhe për të ndikuar në zgjedhjet. Ndërkohë, nëse ministri i Brendshëm nuk e bën dot detyrën e ftoj të japë dorëheqjen” – tha Luan Rama. /javanews/b.d