Nga Altin Ketro
Nuk u nisa të bëj një reportazh mirëfilli mbi sheshin “Skënderbej”. Kalova rastësisht atypari dhe duke përfituar nga një hapësirë që ishte krijuar në këto orë të fundit të inaugurimit të tij, u futa disi vjedhurazi sa për të shuar kureshtjen mbi atë çfarë ishte bërë aty. Kisha parë e dëgjuar lloj- lloj opinionesh, sidomos në rrjetet sociale, për atë shesh dhe doja të bëja një ballafaqim të drejtpërdrejtë të asaj që thuhej, me atë që prekej me këmbë e shihej me sy. Perceptimi im për sheshin qendror të kryeqytetit shqiptar, mbetej ende ai i formës që i dha Lulzim Basha, një prej shëmtive më të pashoqe në llojin e vet, për të cilën më vinte turp sa herë shikoja grupe turistësh të huaj që e përshkonin. Sheshi i Bashës ishte një shesh pa përmbajtje, pa frymëzim, përveçse një rrethrrotullim që shpërndante makinat në 5 drejtime të ndryshme e në po aq të tilla edhe të njerëzve. Ai ishte një shesh (shesh i thënçin) që të vinte turp të bëje një fotografi, sepse edhe simbolin e saj, monumentin e Skënderbeut, e kishin vënë në mes të një lëndine me bar që kur ishte kohë me shi turisti e kishte të pamundur të shkonte aty për shkak të baltës që e shoqëronte.
Gjithsesi, nuk kam ndërmend të bëj krahasime, prandaj po vijoj me ndjesitë që të ofronte sheshi i ri. Sapo hyje në sheshin tashmë të transformuar, të shfaqej përpara syve një hapësirë e pafundme, deri në pabesueshmëri që sheshi është aq gjigant. Më pëlqeu që u futa para inaugurimit sepse mes një grushti punëtorësh, që po i jepnin dorën e fundit, kishe shumë herë më tepër mundësi ta shijoje i pa shqetësuar tej e përtej, pa ta prishur intimitetin pjesëmarrjet masive me ato lëvizjet e zhurmshme andej këndej që s’të lënë të përqendrohesh. Atë përvojë të “keqe” e kisha hasur kur u inaugurua Pazari i Ri të cilin në fakt më shumë e shijova të nesërmen kur hapësira ishte në normalitet njerëzish. Ndjesia kur ai shesh është bosh dhe ti ndodhesh i vetëm aty, është e jashtëzakonshme.
Sheshi është ndërtuar në formë piramidale, besoj unik në llojin e vet, por që në asnjë moment nuk e ndjeje në ecje se ngjisje një të përpjetë. Atë u kuptoje teksa shihje që sa më shumë i afroheshe kulmit, aq më shumë të shfaqeshin në horizont fundoret e institucioneve përreth. Shkallët deri diku të “fshehura” nisnin e bëheshin të dukshme. Tek shkallaret nuk dua të lë pa përmendur se më mbresuan ato të Muzeut Historik që ishin punuar mjeshtërisht dhe nga larg i jepnin më shumë madhështi atij institucioni.
Fatmirësisht hyrja në shesh më qëlloi në kulmin e drekës, pra të vapës, dhe kisha kërshëri të shihja se si do përcëllohesha e shkrumbohesha prej të nxehtit që rrjetet sociale më kishin shti në mendje. Asfare, po asfare po u them, nuk ndikonin ato pllaka në rritjen e nxehtësisë. Dhe për ta provuar zgjodha një vend të thatë me qëllim që prania e ujit të shatërvanëve të mos më ndikonte në opinion. Mund të them me bindje të plotë që ato pllaka nuk transmetonin kurrfarë nxehtësie nga poshtë – lartë, bile në krahasim me klimën që ofronte asfalti në unazën aty pranë, duhet thënë se qëndrimi në shesh ishte shumë herë më i freskët.
Në vijim të “inspektimit” tim për të ballafaquar të “vërtetat” e gënjeshtërta, u përpoqa të fërkoj këpucët në disa pjesë të sheshit, për të parë nëse rrëshqisja apo jo. E bërë këtë provë në të thatë e në të njomë dhe në asnjërën prej tyre jo vetëm që këpuca nuk më rrëshqiti, por ngjitej njësh me pllakën sikur të kishte frena. Edhe kjo legjendë rezultoi gënjeshtër.
Vijova më tej të gjeja pllaka të thyera, ashtu siç edhe këto i kisha parë në rrjetet sociale. Në fakt gjeta plot të tilla. Por, ato pllaka që unë pashë nuk ishin të thyera, por për veçantinë e tyre kishin damarë, të cilat, kur i shihje në fotografi, të krijonin iluzionin optik sikur ishin të thyera.
Puna ende vijonte aty dhe unë nuk po zgjatem më tej. Më mjaftoi ajo që pashë për të hedhur poshtë gjithë shpirtligësinë që mbillet në rrjetet sociale nga ata që i shohin veprat publike nëpërmjet fotografive, bile më keq, nëpërmjet fantazive. Për atë shesh ka shumë gjëra për t’u shkruar, sepse në çdo cep të tij do gjesh diçka të veçantë dhe të pa ngjashme me pjesën tjetër. Unë thjesht doja të hiqja vetëm merakun mbi ato tri katër problematika që rrjetet sociale i kishin hiperbolizuar. Personalisht jam i lumtur që besimi që na ofroi kryetari i Bashkisë së Tiranës se ai do të jetë një shesh i të gjithë shqiptarëve me të cilin do krenohemi, rezultoi i vërtetë. Për këtë meriton t’i thuhet: Të lumtë Erion Veliaj! Dhe nëpërmjet tij, edhe projektuesve dhe zbatuesve për punën titanike që realizuan në kohë rekord. Data 10 qershor do t’ua vërtetojë edhe ju…