Këshilli i qarkut Lezhë i akordoi të enjten politikanit kosovar, Fatmir Limaj titullin “Nderi i qarkut”. “Simbol i luftëtarit dhe komandantit atdhetar, politikanit vizionar e të palodhur për integrimin euroatlantik dhe prosperitetin kombëtar”, ishte motivacioni që shoqëroi dhënien e këtij titulli.
Edhe pse fushatë elektorale, për të nderuar Limajn u bashkuan politikanë të majtë e të djathtë. Pasi mori vlerësimin, Limaj tha se këtë nderim e bashkëndan me të tjerë bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë, si dhe me qytetarët e Kosovës.
Sipas tij, vlerësimi vjen nga një qark që në të vërtetë është simbol i kombit.
Ndërsa kreu i bashkisë Lezhë Fran Frrokaj deklaroi se shqiptarët nuk janë plangprishësit e Ballkanit, por kombi shtetformues. “Ju keni vendin tuaj të lavdishëm në luftën e Kosovës, e kështu do të jeni pjesë e historisë. Shqiptarët kudo janë, e sigurisht edhe ju z. Limaj, nuk janë plangprishësa por shtetformues dhe në këto kushte jam i bindur se do të vazhdoni të kontribuoni për vendin dhe prosperitetin që shqiptarët kanë në rajon”, tha Frrokaj.
Limaj i bashkohet figurave të tjera kosovare që Lezha ka nderuar në vitet e fundit, kryesisht për angazhimin e tyre në çështjen kombëtare./b.d